PD: Flamur Noka, fat që nuk është varr pa emër
Prej ditësh, fillimisht mediat pranë qeverisë dhe më pas deputetët e PS akuzojnë se ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, nuk ka deklaruar një arrestim që i është bërë në vitin 1990.
Teksa Noka në atë kohë kaloi kufirin jugosllav si shumë të rinj, disa media të majta thonë se ai është joshur për t’u bërë agjent i UDB-së, madje shkojnë edhe më larg kur thonë se mund të jetë bërë agjent.
Por PD reagoi pas shumë deklaratash të PS për këtë çështje.
“Formulari i dekriminalizimit, është konceptuar që secili prej zyrtarëve të këtij vendi t’i rrëfehet opinionit publik për krimet e rënda që mund të ketë kryer, dmth për: përdhunimet, vrasjet, trafikimin e drogës e të prostitutave.
Shumë prej këtyre bëmave i ka kryer dhe Taulanti i Partisë ndaj të cilit nuk mungojnë denoncimet dhe dëshmitë.
Formulari i dekriminalizimit, nuk është konceptuar që zyrtarët të rrëfejnë meritat, aktet e trimërisë apo të heroizmit të kryera kundër Sigurimit të Shtetit dhe sistemit të përdhunuesve të një kombi të tërë.
Flamur Noka në vitin 1990 bëri zgjedhjen e tij, pa rezerva e frikë, në favor të lirisë. Theu perden e hekurt.
Ata e kthyen e ia dorëzuan Fatmir Xhafës, i cili së bashku me Sigurimin e Gramoz Ruçit, kishin për detyrë t’i bënin hetuesinë, ta demaskonin e ndëshkonin armikun e regjur të Partisë dhe Atdheut socialist, 19 vjeçarin Flamur Noka.
Pas kësaj, fatin e tij e kishte në dorë personalisht shoku Fehmi Abdiu, kryetar i Gjykatës Popullore të Kukësit, i cili njësoj si për Havzi Nelën, do të administronte në dosje edhe opinionin me shkrim të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Kukësit, shokut Sulejman Bushati. Më tej, “armiku” 19 vjeçar Flamur Noka, kishte të drejtën, identik si Havzi Nela, t’i kërkonte mëshirë shokut Kristaq Rama, i cili njësoj si për Havzi Nelën, do të firmoste “ekzekutim me varje në litar”.
Për fat të mirë, të gjithë sa përmenden më sipër nuk e patën kohën e duhur të mbyllnin ciklin e përdhunimit në grup të dinjitetit njerëzor dhe dëshirës për liri, pasi në dhjetor të vitit ’90 u shembën e u fshehën skutave.
Ndaj, Flamur Noka sot nuk është në një varr pa emër, dhe të njëjtët monstra, e kanë përballë në çdo të pabërë që po i përsërisin prapë këtij populli,” thuhet në deklaratën e PD.
KOHA JONË SONDAZH

