PD mbështet studentët e Mjekësisë: Ligji në Kushtetuese. Gazment Bardhi e cilëson antiligjor
Për ligjin që detyron studentët e mjekësisë që të punojnë në Shqipëri për pesë vite, deputetët e PD-së i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që të shfuqizojnë. Kërkesa është firmosur nga 30 deputetë demokratë të cilët shprehen se ky ligj është anti-kushtetues dhe se kufizon të drejtat e studentëve për të zgjedhur vendin ku ata duan të punojnë.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i ka bërë thirrje qeverisë që të dëgjojë shqetësimet e studentëve dhe të plotësojë kërkesat e tyre.
”Grupi Parlamentar i PD ka mbështetur kërkesën e studentëve të mjekësisë për të kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin që pezullon diplomimin e mjekëve të rinj për 5 vite. Duke respektuar reagimin e studentëve dhe protestën e tyre, pa asnjë ndërhyrje politike, apelojmë edhe njëherë për Qeverinë që të dëgjojë zërin dhe shqetësimin e studentëve dhe ti jap zgjidhje kërkesave të tyre”,-thotë Bardhi.
Rreth 2 mijë studentë të Mjekësisë kanë më shumë se dy javë që mbajnë protesta kundër këtij ligji. Edhe këtë të mërkurë, me pankarta në duar studentët kanë nisur marshimin nga ambientet e Universitetit të Mjekësisë drejt Ministrisë së Arsimit. Studentët e Mjekësisë deklarojnë se do të bojkotojnë mësimin dhe se do të vijojnë protestat deri në anulimin e ligjit.
KOHA JONË SONDAZH

