
Rikthehet uji në Vlorë! Pajisja që nevojitej për të riparuar defektin në rrjetin ujësjellës në Vlorë është montuar përgjatë natës, ndërsa furnizimi me ujë vijon të jetë i pjesshëm.
Gjithashtu, furnizimi i depos ka filluar mëngjesin e kësaj të marte dhe shpërndarja te të gjithë konsumatorët do të vijojë pasdite.
Drejtori i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, deklaroi se defekti i rëndë është drejt zgjidhjes dhe se qyteti pritet të kthehet plotësisht në normalitet gjatë orëve të pasdites.
Sipas tij, pajisja e dëmtuar është tashmë funksionale dhe situata po monitorohet vazhdimisht. Aktualisht, një pjesë e qytetit po furnizohet me ujë, ndërsa depot po mbushen për të garantuar furnizim të plotë në vijim.
Qytetarët e Vlorës u përballen me mungesën e ujit të pijshëm për 5 ditë me radhë, rast që u pasua me 2 protesta të njëpasnjëshme, që vunë në lëvizje autoritetet shtetërore.