PD mbledh Kryesinë: Rritje e përfaqësimit të diasporës dhe grave
PD ka mbledhur këtë të mërkurë Kryesinë e saj, ku në fokus të diskutimeve janë ndryshimet e propozuara në statutin e partisë.
Risitë e propozuara synojnë riorganizimin e brendshëm të PD dhe rritjen e përfaqësimit të disa grupeve shoqërore dhe strukturore.
Një nga propozimet kryesore është fuqizimi i rolit të diasporës shqiptare, duke parashikuar që 15% e përfaqësimit në lista dhe në organet drejtuese të jetë për përfaqësues të diasporës.
Propozohet rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave në parti nga 30% në 40%, si pjesë e përpjekjeve për barazi gjinore në strukturat e PD.
Në paketën e propozimeve përfshihet edhe përmirësimi i organizimit bazë të partisë, forcimi i rolit të grupseksioneve dhe Kolegjit të Kryetarëve të tyre, si dhe rritja e bashkëpunimit mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë.
Edhe parashikohet njohja e një statusi të barabartë për organizatat partnere të PD, mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve dhe saktësimi i rregullave për shkarkimin e kryetarëve të degëve, duke garantuar më shumë stabilitet në detyrë.
Propozimet pritet të diskutohen më tej në strukturat e partisë përpara vendimmarrjes përfundimtare.
KOHA JONË SONDAZH

