PD me kandidatët në Durrës, Bylykbashi: Duke filluar nga 12 maji do të bëjmë diçka të madhe

Drejtuesi Politik i PD-së për Durrësin, Oerd Bylykbashi në prezantimin e kandidatëve akuzoi qeverinë Rama. Akuza për keqqeverisje, korrupsion dhe bashkëpunim me krimin. Ai deklaroi se shqiptarët prej 12 vitesh janë larguar gjithnjë e më shumë nga Europa, ndërsa qeveria ka shkatërruar shpresën, drejtësinë dhe zhvillimin.
Pjesë nga fjala
Durrësi është vitrina e çdo aspekti të qeverisjes grabitqare të Edi Ramës, grabitqare dhe arrogante. Kruja është modeli se si mund të shpopullohet një qytet simbol i kombit, duke e zhveshur nga institucionet, duke i hequr mundësitë, duke i hequr identitetin. Fushkruja dhe Shijaku janë shembuj harrese dhe keqqeverisje, apo qeverisje në bashkëpunim me krimin.
Porti i Durrësit ju grabit jo vetëm durrsakëve, por të gjithë shqiptarëve për t’ju dhënë Alabarit, klientit të Edi Ramës, në fakt është vetë Edi Rama. Ka njerëz që kanë 2 vite që nuk i marrin bonuset e qirasë pas tërmetit, do t’i marrin sapo të kthehemi ne, 100%, gjithçka që u mungon, kushdo që u prek do të marrë atë që u takon, jo sipas preferencës politike.
Ka njerëz që marrin një pension qesharak, ka njerëz që nuk i marrin dot pronat apo nuk i zhvillojnë dot pronat e tyre se nuk do Edi Rama, ka njerëz pafund që ende mbahen të varur prej legalizimit, do të mbyllet kjo plagë menjëherë. Ka njerëz që nuk zhvillojnë dot biznesin e tyre se nuk ka siguri, nuk ka shëndetësi, nuk ka arsim në këtë vend. Nga 4.7 milionë shtetas shqiptarë, të gjallë dhe të regjistruar, rreth 2 milionë janë jashtë Shqipërisë, 1 milion e 100 mijë janë larguar vetëm në 12 vitet e fundit.
E pamundura për demokratët, për Sali Berishën është asgjë, bëmë të pamundurën, nga 2005 në 2013 kur futëm brenda vetëm 2 vitesh të gjitha bandat anembanë Shqipërisë në burg. Bëmë të pamundurën. Ne provuam atëherë se e pamundura është asgjë. Duke filluar nga 12 maji do të bëjmë diçka të madhe, Shqipërinë e shpresës.