PD mes dy kuvendeve, krah Berishës deputetët më të votuar më 25 prill
Lideri historik i PD-së, Sali Berisha pretendon se 4200 delegatë kanë mbledhur firma për të thirrur një Kuvend më datën 11 dhjetor, por kryesia e PD miratoi propozimin e Lulzim Bashës për të mbledhur kuvend mëe 18 dhjetor.
”Foltores” i janë përgjigjur 11 deputetë, ku spikasin emra si Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, dhe Luciano Boçi. Dyfishi i deputetëve pritet t’i përgjigjen thirrjes së kryetarit Basha për Kuvendin e 18 dhjetorit, ku spikat aparati zyrtar i partisë me 4 nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe kreun e grupit parlamentar.
Deputetja e Korçës, Sorina Koti, e kontaktuar nga A2CNN, pohoi se do të shkojë te të dyja kuvendet, një qasje që ishte munduar ta shprehte edhe në Foltoren e organizuar në qytetin e saj. Nga grupi parlamentar demokrat janë 16 deputetë që nuk kanë pranuar të shprehen publikisht mbi qëndrimin që do të mbajnë, apo që nuk iu përgjigjen pyetjes së A2 CNN. Mes tyre dallojnë Xhelal Mziu, Zef Hila dhe Tomorr Alizoti.
Shumica e grupit parlamentar anon qartë në favor të kryetarit Lulzim Basha, por në krah të Berishës kanë dalë 3 prej deputetëve me më shumë preferenca në zgjedhjet e 25 prillit, që kanë zgjedhur të mos injorojnë vullnetin e bazës demokrate ku janë votuar. Agron Shehaj, Belind Këlliçi dhe Luçiano Boçi, ky i fundit i vetmi nga listat e PD që arriti të thyente herësin e të futej në Parlament.
Pavarësisht se si ndahet grupi parlamentar i PD, Sali Berisha pretendon se ka mbështetjen e 4200 delegatëve që kanë firmosur për Kuvendin e 11 dhjetorit, që përbëjnë më shumë se 50% të anëtarëve të këtij forumi, gjë që do të mundësonte vendimmarrjen për ndryshimet statutore të paralajmëruara.
Marrë nga A2cnn