PD: Ndryshime në nivel drejtuesish pas analizës

Edi Paloka dhe Arben Ristani komentojnë draftin e punës të diskutuar në kryesinë e partisë dhe analizën që do të ndiqet në degë, referuar rezultatit të zgjedhjeve vendore

Analiza për zgjedhjet vendore në Partinë Demokratike pritet të përfshijë edhe ndryshime në strukturat drejtuese lokale, në rast se do të konsiderohet e nevojshme.

“Kemi vendosur se aty ku do të shihet e nevojshme të ketë edhe ndryshim të strukturës drejtuese, do të ketë ndryshime. Thelbi i gjithë këtij procesi që ne do nisim synon riparimin e defekteve që kemi pasur zgjedhjet e fundit, ristrukturimin e partisë, që të jemi sa më shpejt të gatshëm për zgjedhjet e ardhshme”, – tha dje kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

Teksa komentoi edhe draftin e punës që diskutuan pak ditë më parë anëtarët e kryesisë.

“Është një draft, i cili synonte më tepër të bënte një krahasim të shifrave duke dhënë dhe fenomenet që sollën ato shifra. Por është një draft që do plotësohet dhe pikërisht për këtë do bëhen takimet e ardhshme dhe mbledhjet për strukturën e partisë për të plotësuar këtë raport e për të nxjerrë shkaqet dhe mënyrën sesi mund t’i rregullojmë defektet në zgjedhjet e kaluara”, – tha ai.

Në fundjavë, anëtarët e kryesisë diskutuan raportin disafaqesh të përgatitur vetëm nga një pjesë e strukturave të partisë, ku përgjithësisht thuhej se strukturat bazë, seksionet dhe grupseksionet, jo gjithnjë ishin efektivë dhe të aftë për t’iu përgjigjur detyrave për zgjedhjet.

“Një pjesë e mirë e rezultateve jo të kënaqshme (jo të pritshme) shpjegohen me mosfunksionimin e strukturës bazë të partisë, të seksioneve, e për rrjedhojë edhe të grupseksioneve”,- thuhet në një pjesë të raportit.

Një tjetër problematikë e evidentuar nga grupi i punës (ku merrnin pjesë edhe disa kryetarë degësh) lidhej me mosaktivizimin e anëtarësisë dhe fiktivitetit të listave të deklaruara nga degët në rrethe.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani e pranoi këtë fenomen edhe publikisht teksa tha dje se në këto zgjedhje u vu re inefiçencë në disa degë.

“Zgjedhjet treguan një ineficiencë të disa strukturave të partisë, si dhe lidershipit të degëve. PD-ja ka nevojë për rikonceptim tjetër të degëve për të administruar më mirë territorin. Do synohet inventari i anëtarësisë dhe eficienca e lidershipit të degëve të Partisë Demokratike”, – tha Ristani.

Për analizën e zgjedhjeve në çdo degë, kryesia e PD-së vendosi ngritjen e grupit të punës “Ad Hoc”, i cili do të përgatisë propozimet për çdo degë, për riorganizimin e funksionimit të partisë; miratimin e strukturës së ekipeve që do të ndjekin pranë degëve, “analizë-riorganizimin”; miratimin e ngritjes së sekretariatit politik për hartimin e programit qeverisës të PDSH-së.

Ky grup pune do të merret edhe me miratimin e udhëzimit për hapjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjen e organeve drejtuese të FRPD-së, që në këto zgjedhje nuk rezultuan efektive.

Në raportin e demokratëve theksohet se problematikë në zgjedhjet e 21 qershorit ishte dhe mosfunksionimi i organizatave partnere të PD-së, si Forumi i të Rinjve.

“…Në këto zgjedhje, organizata rinore e PD-së, FRP-D-ja, me përjashtim vetëm të disa rasteve, ishte joekzistente (e paorganizuar) në shumicën absolute të territorit të vendit…”, – thuhet në raport.

SHKARKO APP