PD ngre alarmin: Hetim për tarifimin deri në 40% më të lartë në Rrugën e Kombit
Partia Demokratike denoncoi sot atë që e cilëson si “një skemë të rëndë zhvatjeje nëpërmjet mbifaturimit, që prej vitesh rëndon mbi çdo shqiptar që kalon në autostradën Milot–Morinë”. Në një deklaratë për mediet, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Viola Kapidani, tha se problemi nuk lidhet vetëm me tarifën koncesionare prej 5 eurosh, të cilën PD e ka kundërshtuar vazhdimisht, por me mënyrën se si kjo tarifë konvertohet në lekë.
Sipas saj, kontrata koncesionare parashikon që tarifa në lekë të llogaritet sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, por në sportelet e pagesës vijon të aplikohet një tarifë fikse prej 660 lekësh, e bazuar në kursin e vitit 2018, kur euro këmbehej me rreth 132 lekë. “Për një automjet të zakonshëm tarifa sipas kursit zyrtar do të ishte rreth 468 lekë; tarifa që arkëtohet në sportel është 660 lekë. Pra, qytetari paguan rreth 192 lekë më shumë për çdo kalim. I njëjti mekanizëm zbatohet edhe për kamionët dhe autobusët, ku diferenca arrin deri në 862 lekë për një kalim, në varësi të kategorisë së mjetit. Kur kjo shumë shumëzohet me mijëra automjete që kalojnë çdo ditë dhe me milionat e kalimeve ndër vite, krijohet një mbifaturim me vlera shumë të mëdha financiare. Pse nuk zbatohet formula kontraktore e konvertimit sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë?”, tha ajo.
Kapidani theksoi se kur kjo diferencë shumëzohet me numrin e madh të automjeteve që kalojnë çdo ditë dhe me milionat e kalimeve ndër vite, krijohet një mbifaturim me vlera të konsiderueshme financiare. Ajo ngriti një sërë pyetjesh, duke kërkuar të dihet pse nuk zbatohet formula kontraktore e konvertimit sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, kush ka autorizuar mbajtjen fikse të tarifës në lekë dhe sa janë të ardhurat shtesë të krijuara nga kjo praktikë që prej vitit 2018. Nga ana tjetër, Kapidani i bëri thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të publikojë mënyrën e llogaritjes së tarifave në lekë dhe bazën ligjore të saj, ndërsa kërkoi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe autoriteti kontraktues të bëjnë publike raportet mbi zbatimin e kontratës.
PD kërkoi që Kontrolli i Lartë i Shtetit të kryejë një auditim të plotë financiar mbi zbatimin e tarifimit që nga fillimi i koncesionit, Autoriteti i Mbrojtjes së Konsumatorit të hetojë pretendimet për mbifaturim të qytetarëve, ndërsa i bëri thirrje SPAK-ut të nisë verifikimet për elementë të mundshëm të shpërdorimit të detyrës ose përfitimit të paligjshëm në dëm të interesit publik.
KOHA JONË SONDAZH

