PD ngre dyshime: Përse vonohen analizat për personat që dyshohen për koronavirus
Përfaqësuesja e grupit të punës të ngritur nga Partia Demokratike për situatën nga koronavirusi, Mirela Tabaku ngre dyshime lidhur me numrin e personave të testuar për koronavirus. Mirela Tabaku i bën thirrje kryeministrit Rama që të sqarojë situatën për diagnostikimin e të dyshuarve me koronavirus.
Sipas saj, qëndrimi që po mbahet ndaj personave që paraqesin ankesa, “po arrin kufijtë e jonjerëzores”.
Deklarata e plotë:
A ka mungesë mjetesh për diagnostikimin e të dyshuarve me koronavirus? Dr. Mirela Tabaku bën analizën e situatës: Kryeministri të sqarojë urgjentisht situatën dhe të shtojë fondet për tamponë, për kite të bërjes së testeve dhe për setet mbrojtëse për stafet mjekësore.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shendetësisë, në 24 orët e fundit janë testuar vetëm 27 persona të dyshuar ndërkohë që vetëm me kodin “korona” kanë qenë 4468.
Numri i personave që paraqesin ankesa rritet, numri i të testuarve pakësohet. Çfarë po ndodh? Mungojnë tamponët, mungojnë kitet për t’i analizuar më pas mostrat që merren?
Qëndrimi që po mbahet ndaj personave që paraqesin ankesa po arrin kufjtë e jonjerëzores.
Merren mostra nga një numer shumë i kufizuar i personave sipas disa kritereve të përcaktuara, kur zyrtarisht po deklarohen raste pozitive që madje nuk i përmbushin këto kritere. “Numri i personave të infektuar- thotë kryeministri- do të rritet shumë”, por çfarë po bëhet për t’i diagnostikuar ata?
Bazuar nga praktikat më të mira të vendeve që po e kalojnë këtë epidemi, ne besojmë se në këtë situatë duhet të vlerësohen seriozisht të gjithë njerëzit që kanë simptoma të prekjes së rrugëve të frymëmarrjes.
Duhet nxituar, mosveprimi do të ishte një gabim me pasoja të rënda.
Presidenti i Venetos ne Itali, Luca Zaia njoftoi : “Do të marrin mostra me tampone madje njerëzve që kalojne në rrugë”, ndërsa ne mbetemi me parimin e kryeministrit “kush i shpëtoi, shpëtoi”.
Ai duhet që nga zyra e tij e punës të sqarojë urgjentisht situatën, të shtojë fondet për tamponë, fondet për kite të bërjes së testeve, fondet për gjithë setet mbrojtëse për stafet mjekësore. Fakti që vetëm në 4 rastet e fundit, 2 janë personel shëndetësor, tregon mungesën e marrjes së masave që ne kemi kërkuar me kohë.
Duhet bërë gjithçka dhe së bashku! Duhet bërë çdo gjë sa më parë dhe sa më efikase.
Heronjtë tanë të sotëm nuk duhen lënë të luftojnë vetëm me shpirtrat, trupat e mendjet e tyre.