PD, një logo historike me një format të ri!

Nga Alban Daci

Roli historik i PD në këto 30 vite është dëshmi e vetë kohës, duke dëshmuar, ngjarje, njerëz, beteja, fitore e humbje! Askush nuk mund ta fshij PD si dëshmi politike e historike e këtyre 30 vite, ashtu sikur askush nuk mund të fshijë apo fsheh edhe kur PD ka çaluar, apo ka bërë marrëveshje edhe me kundërshtarët, herë në interes kombëtar e ndonjëherë edhe në interes të lidershipit!

Është e vërtetë se PD është vetë konsideruar si parti e djathtë, por po ashtu është e vërtetë se lidershipi i saj ka hyrë në kualicion duke qeverisur pas zgjedhjeve edhe me të majtët siç ishte rasti i 2009. Pikërisht falë atij kualicioni filloj braktisja e madhe ndaj demokratëve të thjeshtë dhe mekëmbja e të ashtuquajturve të majt duke i dhënë mundësi Ramës për të fituar në 2013! Njerëzit bëjnë ngjarjet dhe ngjarjet dëshmohen nga historia! PD në 30 vite nuk është se ka afruar modele të jashtëzakonshme politike apo që ka bërë dallimin e saj me kohën. Mandje mund të thuhet se koha ka diktuar fatet e PD!

Të flasësh për PD është sikur të flasësh për 30 vitet e tranzicionit shqiptar e në këtë kontekst nuk është e lehtë dhe nuk mund të bëhet në studio televizive. Nëse sot ka një zhgënjim të thellë të qytetarëve të thjeshtë ndaj politikës, kontribuuese për këtë është sigurisht edhe PD! Kur them për qytetarët, e kam fjalën për atë shumicë që vetëm e kanë pësuar nga politika duke zgjedhur si opsion largimin e pa ndërprerë nga ’90 e deri më sot si të vetmen shpresë për të shpëtuar nga politika e po ashtu me ëndrrën e madhe për të gjetur një jetë më të mirë!

E vërteta është se as PD në intervalet që ka qeverisur nuk arriti të ndaloj zbrazjen e Shqipërisë e në të njëjtën kohë nuk arriti të zvogëlojë dozën e zhgënjimit të qytetarëve ndaj politike. Kjo dozë ka dhënë efekte imediate të një apatie të madhe deri në urrejtje të qytetarëve ndaj politikës! Kupa po mbushet aq shumë sa ajo rrezikon të derdhet duke vendosur qytetarët përballë politikës si një mundësi për hakmarrje dhe po ashtu edhe ndoshta për të rigjetur versione të reja të përfaqësimit dinjitoz të qytetarëve, i cili nga ’90 e deri më sot ka munguar!

Perceptimit i qytetarëve ndaj politikanëve është se ata janë “barkderra”, “hajdut”, pa moral dhe që vetëm pasurohen nga mengjesi e deri në dark. Në fakt nese shikojmë stilin e tyre të jetës në krahasim me qytetarët, ndoshta nuk e kanë aspak gabim këta të fundit! Politikani më i “lodhur” ka shtëpi, prona, biznese, makinë luksoze, privilegje si dhe i ka sistemuar fëmijët duke i shkolluar në universitetet më të mira të Botës. Ndërsa, nga ana tjetër, kemi qytetarë të ndershëm që nuk mbyllim muajin, fëmijët detyrohen t’i dërgojnë emigrant jashtë vendit e kështu me këtë perspektivë janë të destinuar të mbeten gjithmonë jashtë sferës politike që tashmë është bërë e trashëguar me “tapi”.

Basha me nismën e tij për vetingun në politikë dhe me cilësimin “trekëndëshi i Bermudës”, ka një qëllim të vetëm: të shpëtoj PD nga asimilimi i kohës dhe po ashtu t’i jap vendit një shans të ri për të ardhmen! Nëse Basha nuk e bën sot e seriozisht distancimin e tij ndaj “Bermudës”, nuk do të jetë e largët dita, kur këtë ta bëjnë qytetarët edhe ndaj PD duke u dhënë hapësirë levizjeve apo opsioneve të reja populiste që siç kemi parë në Europë, pertej entuziazmit imediat, kanë rezultuar formacione të dështuara!

PD është një logo historike, por rrethanat dhe situatat diktojnë një riformatim që sigurisht nuk mund të bëhet duke përfshirë edhe të kaluarën në projektet e të ardhmes!

SHKARKO APP