PD: Nuk shohim një përplasje të presidentit me ndërkombëtarët
Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në PD, Arben Kashahu në një intervistë në Ora News komentoi aktualitetin politik në vend.
I pyetur se si e sheh përplasjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta me ndërkombëtarët, Kashahu tha se nuk sheh asnjë përplasje mes tyre.
“Është shumë ta konsiderojmë këtë ligjërim të ditëve të fundit si përplasje të presidentit me ndërkombëtarët. Nuk shoh një përplasje të presidentit me ndërkombëtarët. Do ishte një përplasje nëse Presidenti si përfaqësues i shtetit të kishte një qëndrim të kundërt ndaj kancelarive perëndimore apo më gjerë. Në të gjithë këtë retorikë të deritanishme nuk kam vërejtur ndonjë këndvështrim të ndryshëm të presidentit nga kancelaritë perëndimore apo euroatlantike. Ajo që ka qenë në qendër të diskutimeve të presidentit kanë qenë qëndrimet e diplomatëve dhe të presidencës lidhur me interpretimin e funksioneve të presidentit”, deklaroi Kashahu.
/Ora News