PD nxjerr emrat: Ka policë që janë kthyer në banditë! Po kërcënohen qytetarët, prokuroria të hetojë

Këtë të martë grupi i Rithemelimit në selinë blu ka akuzuar Policinë e Shtetit, duke thënë se zyrtarë të saj janë të përfshirë në blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste në kuadër të fushatës elektorale të 14 majit. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Floriana Garo tha se në bashki të ndryshme të vendit janë shënuar incidente ku janë përfshirë persona të cilët sipas saj janë punonjës policie dhe të tjerë që kanë precedentë të theksuar penalë. Duke përmendur emrat e personave, zëdhënësja kërkoi ndërhyrjen e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Muhamet Rrumbullaku, si dhe bëri thirrje që OSBE-ODIHR t’i raportojë në raportin final të gjitha këto shkelje.

Deklarata e plotë

Përpjekja për të frikësuar opozitën e vërtetë, duke përdorur Policinë, që thotë se është e shtetit, po i përket pushtetit, apo çdo mashë tjetër të qeverisë nuk na tremb, por na bën me dije se qeveria është e trembura, që nga dëshpërimi i humbjes kërkon shpëtim tek aktet e rrugacërisë.

Në Tiranë, Policia Bashkiake është dërguar për të mbyllur zyrat e degëve të Partisë Demokratike dhe koalicionit ”Bashkë Fitojmë”. Banditë me uniformë, në shkelje të çdo kodi etik dhe elektoral kanë shkuar në zyrat e degëve 2 dhe 5, me urdhrin e mbylljes në dorë. Përpjekja për t’i mbyllur opozitës çdo shteg komunikimi me zgjedhësit, pasi i grabitën vulën dhe i caktuan drejtuesin e koalicionit kundër vullnetit të anëtarëve, i bën të duken të vegjël dhe në panik nga vala popullore që u është kthyer kundra.

Banditë të tjerë i gjeni edhe në Cërrik. Tek një zyrtar i shtetit, shefi i Komisariatit qe përdhos cdo ditë uniformën, duke u shndërruar në shoqërues të kandidatit PS. Bedri Hasani, pa mandat, dhe në shkelje të ligjit bën kontrolle nëpër lokale e shtëpi të mbështetësve të opozitës. Jo larg Cërrkiut, në Lushnjë, Policia Bashkiake ka shkuar në mënyrë demonstrative para selisë së PD me qëllim për të hequr banderolën elektorale.

Meqë vjen Rama nesër dhe meqë nuk e duron dot banderolën me sloganin e BashkëFitojmë, cubat e tij në Lushnjë duan që Rames të mos ja zërë sytë asgjë e pahijshme. Faktin se e bëjnë për Ramën e ka dëshmuar vetë një prej policëve që u ka thënë përfaqësuesve të opozitës: hiqeni sot dhe mund ta vini sërish nesër.

Më alarmante gjendja është në Pukë, ku taborret e Gjon Gjonajt, në Polici dhe administrate, kanë filluar një fushatë të hapur kërcënimesh me qëllim trembjen e opozitarëve. Zyrtare të Komisariatit te Policisë Pukë, dhe persona me precedentë kriminalë, qe kane mbështetjen e policisë, u bëjnë presione nga me te ndryshmet qytetareve per te votuar Gjon Gjonin.

1-Fiqiri Dani, shefi i komisariatit Policise Pukë, thërret në zyrë qytetarët dhe vartësit e tij duke u bere presion mos të dalin të votojnë në të kundërt do kenë pasoja.
2-Imer Rexha, punonjës i policisë së Rendit, shpërndan para për blerje votash në Puke.
3-Ndue Jaku punonjës i policisë Rrugore, shpërndan para per blerje votash ne Gjegjan.
4-Sokol Frroku, shoferi i kryetarit të bashkisë Pukë, i sapodalë nga burgu me precedent penal lëviz i armatosur në qytet.
5-Besmir Selmani, me precedentë penal, i sapodalë nga burgu, lëviz i armatosur.
6-Ed Ndoja, kontigjent policie, lëviz i armatosur.
6-Zef Luka, me precedentë penal, i denuar, lëviz në zonën e Gjegjanit i armatosur.
7-Lek Luka me precedentë penal, i dënuar, lëviz në Gjegjan i armatosur.
8-Ndue Luka, kryeplak i fshatit Gjegjan, me precedent kriminal, lëviz në Gjegjan i armatosur.
9-Gjin Gega, përgjegjës i OSHEE-së Fushë-Arrëz, kërcënon njerëz.
10-Lul Mema, administrator i Njësisë Rrape, shpërndan para për blerje votash.

Këta persona, në bashkëpunim, lëvizin të armatosur me makina pa targa në të gjitha akset e rrugëve te bashkisë Pukë, bllokojnë rrugët dhe ndalojnë qytetarë dhe përfaqësues te opozitës, duke mos i lënë të bëjnë fushatë.

Kush kundërshton dhunohet fizikisht ose shoqërohet ne polici. Policia është vënë në dijeni, por nuk merr asnjë mase ndaj tyre, madje bashkëpunon me ta. Grupi i Gjegjanit ka në përdorim 12 radio policie dhe komunikojnë për lëvizjet dhe ndjekjet që i bëjnë çdo personi dhe përfaqësuesi të opozitës kur hyn në zonën e tyre.

Koalicioni Bashkë Fitojmë i bën thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që të tërheqë menjëherë policët e kthyer në banditë, nga Lushnja në Cërrik e deri në Pukë e më tej. Përdhosja e uniformës është një akt i turpshëm për të gjithë trupën e policisë dhe profesionistët e saj.

I bëjmë thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për këto shkelje flagrante të lirisë së shprehjes dhe dhunën që ushtrohet mbi këtë premisë. I kërkojmë OSBE-ODHIR që ti marrë shënim të gjitha këto abuzime dhe t’i konsiderojë për raportin final të zgjedhjeve të 14 Majit.

SHKARKO APP