PD: Rama po përdor fondet e rindërtimit dhe punësimet në administratë për votat e 6 marsit
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se po përdor fondet e rindërtimit dhe punësimet në administratë për të blerë votat e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit.
Në një deklaratë nga selia blu, këshilltari ligjor i Grupit Parlamentar të PD, Marash Logu, theksoi se edhe në zgjedhjet e pjesshme Rama ka vënë në jetë të njëjtën skemë të masakrës zgjedhore të 25 prillit.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, KËSHILLTARI LIGJOR I GRUPIT PARLAMENTAR, MARASH LOGU
Ujku qimen e nderron por zakonin se harron thote populli. Keshtu eshte dhe Edi Rama. Edhe ne keto zgjedhje te pjeseshme ka vene ne jete te njejten skeme te masakres zgjedhore tw 25 prillit. Fonde per rindertim dhw punesime te perkohshme ne kembim te votes ne Durres dhe Rrogozhin eshte skema e vene serisht ne jete nga Edi Rama.
Në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, Partia Demokratike ka denoncuar me fakte dhe dokumente konkrete, shpërndarjen e mbi 125 milionë euro pagesa për tërmetin në këmbim të votes. Vetëm në bashkinë Durrës, një javë përpara zgjedhjeve, u shpërndanë 6 milionë euro pagesa për tërmetin me qëllim manipulimin e vullnetit të qytetarëve.
Partia Demokratike ka denoncuar publikisht dhe kallëzuar penalisht në prokurori punësimin e mbi 13 mijë punonjësve në administratë publike për qëllime elektorale.
Mungesa e hetimeve të plota dhe ndëshkimit të rreptë për autorët e masakrës zgjedhore të 25 Prillit, bën që ata të shfaqen sërish, me të njëjtat metoda dhe skema vjedhjeje në zgjedhjet e 6 Marsit 2022.
Në datën 2 Shkurt, Partia Demokratike ka denoncuar në KQZ shpërndarjen e paligjshme dhe selektive të fondeve të rindërtimit nga Bashkia Durrës për 526 familje. Përgjigja e Bashkisë Durrës në datën 14 Shkurt konfirmon denoncimin e Partisë Demokratike: 526 familje përfituan fonde nga granti i rindërtimit vetëm 35 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Ndërkohë, në një tjetër rast flagrant të shkeljes së Kodit Zgjedhor, Partia Demokratike ka denoncuar në KQZ punësimin me kontrata 3-mujore të 29 punonjësve nga Bashkia Rrogozhinë. Punësime të kryera në datën 25 janar të këtij viti, vetëm 5 ditë pas dekretimi të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës.
Për Partinë Demokratike, ka qenë dhe mbetet e qartë se Edi Rama dhe mazhoranca e tij janë armiq të betuar të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Megjithëse, i vjedh gjatë gjithë kohës dhe pandalim, sa herë ka zgjedhje Edi Rama hap thesin për të dobëtit, për hallexhinjtë, të cilët po ai vetë i katandisi në pikë të hallit, për t’u grabitur votat dhe më pas lënë në harresë në 2 apo 4 vitet e ardhshme.
Përmes komisionit të reformës zgjedhore, që u miratua me këmbenguljen e Partisë Demokratike dhe që synon që të frenojë armikun e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira, Edi Rama. Ndërkohë, nuk do të lejojmë asnjë manipulim të vullnetit të qytetarëve dhe mbetemi të vendosur në përpjekjen për të garantuar fitoren në 6 Mars përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.