PD reagon pas sqarimit të Endri Fugës: E turpshme! Rama udhëtim me avion privat në Francë

Partia Demokratike ka kërkuar sqarime nga kryeministri Edi Rama mbi motivet e udhëtimit të tij me avion në Francë. Në një deklaratë për mediat, selia blu shprehet se është jo normale që në krizën ekonomike që po kalon vendi, kreu i qeverisë kryen udhëtime luksoze që kushtojnë  mbi 100 mijë dollarë.

“E turpshme është që Edi Rama të harxhojë me mijëra euro për luksin personal, kur shqiptarët i ka lënë në pikë të hallit. E turpshme është që Edi Rama të udhëtojë si hajdut me charter personal dhe ta mbajë të fshehtë arsyen. E turpshme është të justifikosh luksin dhe vjedhjen e Ramës, duke akuzuar opozitën që zbuloi të vërtetën e udhëtimit në fundjavë prej 100 mijë euro me avion privat. Edi Rama nuk mund të fshihet. Ai ka udhëtuar me avion privat në fundjavë në Francë. Pse?”,- thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi denoncoi sot udhëtimin e Edi Ramës me avionin e “Air Albania”. Sipas Bardhit, avioni është përdorur për qëllime personale nga kreu i qeverisë.

Pas deklaratës së Sekretarit të PD-së, lajmi i udhëtimit u konfirmua nga Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga. Ai pranoi udhëtimin e Edi Ramës, por tha se kompania “Air Albania” ka një marrëveshje me qeverinë për udhëtimet që kryhen për arsye pune.

“E turpshme akuza për udhëtimin 24orësh të KM në Paris me avionin, që siç e kemi sqaruar publikisht, përdoret veç për arsye pune, bazuar në një marrëveshje të posaçme me AIR ALBANIA pa qëllim fitimi. Ata që akuzojnë mesa duket vetëm këto që shpifin për ne kanë bërë kur qeverisnin!”,- deklaroi Endri Fuga.

SHKARKO APP