PD: Shullazi foli me Tahirin përpara ndalimit të tij nga policia?
Partia Demokratike akuzoi sot Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se i ka garantuar personalisht Emiljano Shullazit se ditën e shoqërimit për t’u pyetur në lidhje me kërcënimin e akademikëve Mynir Koni e Dhori Kule ai thjesht do të merrej në pyetje dhe do të lihej i lirë. Kryetari i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se Tahiri ka patur një telefonatë me Shullazin përpara se ai të shoqërohej në policinë e Tiranës.
“A ka biseduar Saimir Tahiri me Emiliano Shullazin, përpara ndalimit të tij nga policia? A e ka garantuar Tahiri, Shullazin, se thjesht do të shoqërohej do të pyetej për kërcënimin e kandidatit per rektor, e më pas do lihej i lirë? Të gjitha të dhënat tregojnë se kështu ka ndodhur. Burime serioze, oficerë që janë në dijeni dhe që kanë qenë prezentë në aksion, dëshmojnë se Sajmir Tahiri ka folur me Emiliano Shullazin përmes telefonit të nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Ermal Muça. Ky funksionar i policisë rezulton të jetë një nga personat e besuar për shumë paligjshmëri e trafiqe që bëhen me dijeninë dhe bekimin e Tahirit”, thotë PD.
Shullazi u arrestua disa orë pas shoqërimit. Partia Demokratike thotë se paktin mes tij dhe Tahirit e prishi Prokuroria.
“Pakti u prish, sepse prokuroria urdhëroi arrestimin për akuzat e gjobvënies e kanosjes, pas punës disa mujore që kishte bërë për sigurimin e provave, sigurisht pa dijeninë e Tahirit”, deklaroi Alibeja.
PD e lidh nëndrejtorin e Policisë së Tiranës jo vetëm me Emiljano Shullazin, por edhe me vrasjen e Elton Çiços në ish –Bllok. Lulzim Basha kishte ngritur pikëpyetje mbi faktin se përse pistoleta dhe telefoni i viktimës nuk u gjetën në vendin e ngjarjes dhe u morën nga polici Alban Trimi që gjendet i arrestuar. Alibeja jep detaje të tjera.
“Nëse prokuroria merr pamjet e dy muajve të fundit të lokalit ku ndodhi ekzekutimi i Elton Çiços, do të shohë se pothuajse çdo natë Ermal Muça dhe Qebini i doganave ishin në shoqërinë e viktimës. Dhe të gjitha këto lidhje përfshijnë Shullazin e të çojnë tek Tahiri. Eshtë kjo arsyeja pse arma dhe telefoni i viktimës u morën natën e krimit. Sepse arma dhe sidomos telefoni zbulojnë lidhjet me krerët e policisë dhe janë provë e dëshmi e trafiqeve të drogës”.
PD thotë se këto janë të tjera prova që faktojnë se kryeministri i vendit, Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri “janë një me bandat, bëjnë pazare, ofrojnë siguri e paprekshmëri për to”.
KOHA JONË SONDAZH

