”PD të ndahet nga Berisha”, gazeta zyrtare e selisë blu publikon deklaratën kundër liderit historik
Pedagogia Jonila Godole, një ditë pasi u zgjodh drejtuese e Sekretariatit për të Përndjekurit Politikë në selinë blu, deklaroi hapur se PD-ja duhet të ndahet nga Sali Berisha dhe të ecë përpara. Lajm është fakti se deklarata e saj, është publikuar në gazetën zyrtare të PD-së, Rilindja Demokratike.
“Vendimi i z. Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme. Kjo do ta çojë PD përpara ose jo, këto janë kosto që do t’i mbajnë ata.
Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund.
Këto janë vendime që i marrin partitë vetë. Këto janë modele që unë i kam sugjeruar. Nëse mua do më pyesin sot nga brenda PD, patjetër që do ta sugjeroj këtë dhe do flas hapur. Por kjo është pjesë e PD, duhet të tregojë se është vërtet një parti që e meriton të vijë në pushtet. Unë shpresoj shumë që PD të bëjë zgjidhjen e tyre”,-thotë Godole.