PD thirrje SPAK-ut: 800 ton mbetje toksike po rikthehen nga Azia në Shqipëri, asnjë institucion nuk jep përgjigje
Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Fjoralba Dizdari kërkoi që institucionet të marrin masa për mbetjet toksike që po kthehen në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se qeveria nuk u përgjigjet pyetjeve të opozitës dhe opinionit publik lidhur me çështjen. “Segmente të caktuara të administratës shtetërore po përpiqen, të shpërqendrojnë vëmendjen, jo vetëm të publikut të gjerë duke e hedhur fajin sa brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që në arenën ndërkombëtare po akuzohet Shqipëria”, tha ajo. Dizdari i bëri thirrje SPAK -ut të nisë hetimet.
Deklarata e plotë
800 ton mbetje toksike me origjinë nga Porti i Durrësit dhe destinacion Azinë Juglindore, po rikthehen në Shqipëri pasi dyshohet se janë mbetje me rrezikshmeri të lartë”. Ndonëse kanë kaluar më shumë se tri javë ende qeveria nuk po i përgjigjet një sërë pyetjesh të opozitës dhe opinionit publik: Cila është origjina e këtyre mbetjeve, nga kanë ardhur ato? A i mbikqyr Ministria e Turizmit dhe Mjedisit instalimet që prodhojnë mbetje të rrezikshme dhe si përpunohen apo depozitohen këto mbetje? A i mbikqyr Ministria e Turizmit dhe Mjedisit transferimin e këtyre mbetjeve Konform ligjit “Pë transportimin e mallrave të rrezikshme”? Organet e kontrollit të përcaktuara në ligjin a e kanë inspektuar “Sokolaj” Sh.p.k e cila kryen aktivitet në këtë fushë dhe çfarë kanë raportuar në raportin vjetor të depozituar në këtë ministri?
Si ka mundësi që kamionë të tonazhit të rëndë transportojnë qindra tonelata material të rrezikshme pa çertifikatat përkatëse dhe Policia e shtetit të mos i vërë re? Si ka mundësi që qindra tonelata mbetje toksike, depozitohen, paketohen në një institucion të rëndësisë së veçantë dhe, pa u kontrolluar etiketat për llojin e mbetjes, ngarkohen nëpër anije? A di gjë Dogana e portit të Durrësit për ngarkesën e po këtij lloji që shkoi nga Durrësi drejt Kinës në muajin prill? Po për ngarkesa të tjera, pasi nga organizata e Rrjetit të Aksionit të Bazelit (BAN), me seli në SHBA pretendohet se nga ky port, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një ngarkesë e ngjashme me pluhur helmues i njohur ndryshe si ‘EAF’dhe që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike.
Mos funksionimi i agjencive shtetërore duke lejuar haptazi në kundërshtim me ligjin “PërManaxhimin e Integruar të Mbetjeve) apo aktet e tjera të dala në zbatim të tij, (që përcaktojnë qartë, mënyrën e transportit të këtyre lëndëve) transportin dhe depozitimin e pa shqetësuar të kësaj lënde të rrezikshme, në Portin e Durresit ka cënuar “Sigurinë Kombëtare”. Ndërkohë që mashtrimi me etiketat e këtyre materialeve të rrezikshme brenda ambienteve të një institucioni të rëndësisësë veçantë shton pasigurinë e shqiptarëve mbi mallrat që konsumojnë në përditshmërinë e tyre. Tashmë qytetarët shqiptarë janë më të pambrojturit në Evropë dhe rajon. Ministria e Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës, Porti i Durrësit, Sherbimi Informativ Kombëtar, Policia e Shtetit, Drejtoria e Doganave, askush, nuk ka përgjigje për këtë çështje.
Tashmë segmente të caktuara të administratës shtetërore po përpiqen, të shpërqëndrojnë vëmendjen, jo vetëm të publikut të gjerë duke e hedhur fajin sa brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që në arenën ndërkombëtare po akuzohet Shqipëria. U bëjmë thirrje institucioneve të marrin masa për sigurimin e mbetjeve të rrezikshme të depozituara në mënyrë natyrore në kalatën lindore pasi, në këtë port përpunohen anije që transportojnë artikuj ushqimorë të paketuara apo jo (Grurë rifuxho) dhe që mund të kontaminohen nga depozitimi në natyrë i këtyre mbetjeve.
Në Portin e Durrësit kalojnë çdo ditë mijra turistë vendas apo të huaj që kanë zgjedhur vendin tonë për të pushuar dhe gjeëndja natyrorë e kësaj lënde të rrezikshme kontaminon mjedisin, i cili nga ana tjetër dëmton rëndë shëndetin e turistëve apo banorëve që jetojnë në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, precipitimi i kësaj lënde nga kontakti me agjentë atmosferik (shiu, vesa) kontaminon ujërat që kalon në afërsi të këtij vend depozitimi (Detin) ndërkohë që jemi n ëmes të sezonit turistik dhe qyteti i Durrësit është i mbushur me turistë që lahen në afërsi të këtij porti. PD inkurajon dhe mbështet hetimin e Zyrës Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), Rrjetit të Aksionit të Bazelit, dhe uron që hetimi i nisur nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, të bëjë transparente atë ç’ka po ndodh në territorin shqiptar, me rastet e këtyre mbetjeve. I bëjmë thirrje SPAK të nisë sa më parë hetimet. Faleminderit.