PD: Vlerësojmë dorëheqjen e Xhuvanit, refuzojmë melodramën e shpifur të Ramës

Deklarata e plotë e deputetit Paloka.

“Sot ka ndodhur një krim i tmerrshëm, që mori jetën e katër qytetarëve. Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera viktimave dhe gjendet pranë dhimbjes së tyre. Ne inkurajojmë drejtësinë të veprojë me forcën më të madhe të ligjit.

Dorëheqja si deputete e mamasë së autorit të krimit këtë mbrëmje, është një gjest për t’u vlerësuar, ndonëse mbarë opinioni publik e kërkonte këtë me ngulm gjatë gjithë ditës.

Por është e refuzueshme deri në neveri melodrama e shpifur e luajtur nga Edi Rama, i cili rreket që edhe në këtë orë dramatike, kur katër familje janë në zi të thellë, të bëjë demagogji, të përfitojë nga rasti për të sulmuar opozitën, dhe të lajë duart nga përgjegjësia e rëndë morale dhe politike që është sot dhe gjithë ditën e tija dhe vetëm e tija për këtë vrasje të paralajmëruar.

Me paramendim, me një fjalim të shkruar e të lajmëruar që paradite, Edi Rama i diferencon qytetarët e këtij vendi, duke treguar dashuri, përvuajtje, e konsideratë për prindërit e autorit, që janë miqtë e tij, dhe duke lënë në një qoshe e në përcmim 4 viktima, familjet e të afërmit e tyre, të cilët në retorikën e tij të gjatë morën vetëm një rresht.

Në vend të dedikimit përdëllyes për familjen e autorit, Edi Rama duhet të përgjigjet për një fakt që ai e di shumë mirë, për një fakt që nxjerr zbuluar përgjegjësinë e tij për këtë krim, një fakt që po ia risjellim në vëmendje publikut.

Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim nga policia që me 26 prill të këtij viti, për shkak se ka kanosur qytetarët dhe ka qëlluar me armë në lagjen 18 shtatori në Gjirokastër.

Eshtë shpallur në kërkim, por nuk është ndaluar kurrë nga policia. Sepse Konstandin Xhuvani është shpallur në mbrojtje nga qeveria, përpara se të shpallej në kërkim. Sic u shpall në mbrojtje edhe kur  iu kundërvu me armë forcave të policisë gjatë operacionit në Lazarat, një fakt i dëshmuar nga vetë Drejtori i Policisë së Gjirokastrës në mediat televizive.

Nëse ligji do të zbatohej njësoj për të gjithë, autori i krimit të sotëm që mori katër jetë do të ishte ndaluar në oborrin e parlamentit, ku u soll me vrik nga Gjirokastra me mjete të ushtrisë, për t’i shpëtuar aksionit të policisë dhe për ta përdorur para kamerave edhe këtë rast si sulm ndaj opozitës.

Nëse Edi Rama nuk do ti bëhej mburojë recidivistit të dënuar për vrasje,

-nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria ku kriminelët e lidhur me Edi Ramën kanë imunitet e bredhin lirshëm me pistoletë në brez edhe pse janë në kërkim,

-nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria e të tjerëve që bien viktima të fëmijëve të pushtetit,

-Shqipëria ku policia i merr shpirtin qytetarëve të zakonshëm për një tullë, apo për një faturë energjie që nuk e paguajnë dot se s’kanë bukë të hanë

-po ku nderohen banditët e lidhur me qeverinë apo të dënuarit e sjellë deri në Kuvend si deputetë nga Edi Rama,

-atëherë krimi i sotëm mund të ishte evituar.

Rrethanat e krimit të ndodhur janë objekt hetimi i drejtësisë, por ka disa rrethana të tjera që duhet tja themi sot hapur njëri-tjetrit.

Në Shqipëri është instaluar një oligarki e përzier me bandat, si pjellë e aleancës me krimin që lidhi Edi Rama para zgjedhjeve.

Shqiperia nuk do të ketë paqe po nuk shpëtoi nga kjo mynxyrë. Sa më gjatë të sundojë kjo e keqe aq më të mëdha do të jenë dëmet që do të shkaktojë ne jetët dhe shpirtrat e njerëzve dhe mbarë shoqërisë. Tani është koha të reagojmë.

Ora 12:50 Opozita ngarkon qeverinë me përgjegjësi për krimin e paralajmëruar

Vrasjen dramatike të 4 personave në një lokal nate në Tiranë, opozita ia ka ngarkuar si përgjegjësi qeverisë shqiptare duke e cilësuar krim të paralajmëruar, pas të cilit,  sipas deputetit Gent Starzimiri,  qendron djali i deputetes se mazhorancës, Luiza Xhuvani.

Partia Demokratike ka reaguar ashpër lidhur me masakrën e mëngjesit të sotëm në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër persona.  Fillimisht reagoi deputeti i PD-së Strazimiri, më pas ish kryeministri Berisha dhe më pas kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Reagimi i Strazimirit

Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, denoncoi lehtësitë që sipas tij i krijohen krimit e bandave, dhe represionin e dhunshëm policor ndaj qytetarëve të pafajshëm.

“Kryeministri dhe banda e tij kanë krijuar të gjitha lehtësitë për autorin, djalin e deputetes Xhuvani, që të lëvizë i lirshëm me armë në brez, madje të krijojë edhe një bandë kriminale dhe ta ushtrojë aktivitetin me shantazhe, gjobvënie e vrasje në mes të Tiranës”.

Sipas Strazimirit, autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, ka mbështetjen e Policisë, pasi ishte një nga personat që i shpëtoi aksionit të Lazaratit dhe u transportua me mjete ushtarake në Tiranë e u soll në oborrin e parlamentit për t’ia treguar edhe kamerave.

“Në këtë “shtet” që në 13 muaj është bërë armiku i cdo qytetari, cdo qytetar që jeton me djersë e respekton ligjin është fatkeq!Të nderuar motra dhe vëllezër! Koha është tani! Të mbrojmë shtetin nga sulmi i krimit, përpara se të kthehemi zyrtarisht në vitin ’89!” tha Strazimiri.

Basha: Krimi ka hyre nën petkun e qeverisë, të gjithë të gjykohen njësoj

Ndërkaq shefi i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi barazi para ligjit.

“Krimi ka hyre nën petkun e qeverisë. Të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit dhe duhen gjykuar njësoj”.

Kreu i demokratëve thotë se është pikërisht kriminalizimi i parlamentit, që nuk i lë hapësira opozitës për për tu kthyer në Kuvend.

“Parlamenti shqiptar është ilegjitim” thekson Basha.

Berisha:Qeveria ne kembe per te shpetuar vrasesin!

Më herët edhe ish-kryeministri Sali Berisha përmes rrjetit social fb akuzoi qeverinë se është ngritur në këmbë per te shpetuar vrasësin.

SHKARKO APP