PDIU, si përcaktuese e fituesit në Dibër

Nga Halil RAMA/Nga historiku i zgjedhjeve të pjesshme, parlamentare apo lokale, gjatë këtyre 25 viteve pluralizëm, nuk është e vështirë të evidentosh një fakt të pamohueshëm. Në të gjitha rastet, fituesi i tyre ka qenë përfaqësues i mazhorancës. Kjo për faktin, se zgjedhësit kanë qenë dhe janë të prirur për t’u bërë pjesë e shumicave qeverisëse, nga të cilat mund të përfitojnë më shumë për atë pjesë të mbetur të mandatit të përfaqësuesit të tyre. Parë nga ky këndvështrim, Dibra s’kishte pse të bënte përjashtim, pavarësisht profilit të lartë të kandidatit të opozitës. Por ajo që është për t’u evidentuar nga këto zgjedhje është roli përcaktues i fituesit të tyre nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Brenda një harku kohor, relativisht të shkurtër, ky subjekt arriti të dominojë skenën politike të Dibër. Nëse para një viti u rendit si forcë e konsiderueshme e mazhorancës, me tre këshilltarë në këshillin Bashkiak të Dibrës, duke marrë rreth 5 mijë vota, marrja e drejtimit të Bashkisë së Dibrës nga nënkryetari i saj Et’hem Fida dhe drejtimi prej tij me kompetencë e profesionalizëm, në periudhën vakuum pas skandalit seksual të ish kryebashkiakut Shukri Xhelili, i dha shanse morale PDIU në këtë rreth që të rritej ndjeshëm. Strukturat e saj u konsoliduan thuajse në çdo njësi administrative dhe ato janë garante të një mandati parlamentar për këtë subjekt në zgjedhjet legjislative të vitit të ardhshëm. Në mënyrë indirekte këtë e pohoi edhe z.Elmaz Tehla, sekretar i PDIU, i cili tha se strukturat e saj në Dibër kanë punuar maksimalisht për fitoren e kandidatit të majtë për kreun e Bashkisë Dibër. Dhe padyshim, ky rezultat është ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kontributi i PDIU. Madje, ky angazhim i strukturave në këtë rreth, si dhe mbështetja e fuqishme që iu dha atyre deputeti Aqif Rakipi, tregon qartë fuqinë e vërtetë të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe se kjo parti është tashmë një aleate e fuqishme e PS. Kjo u dëshmua edhe nga eksponentë kryesorë të Shtabit Elektoral të kandidatit të majtë, Muharrem Rama, tashmë fitues si krybashkiak i Dibrës, duke e konsideruar rritjen e PDIU në Dibër si një vlerë të shtuar të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane.  Gjatë gjithë fushatës, makina dhe flamuj të PDIU-së, në përkrahje të kandidatit të majtë, Muharrem Rama ishin prezentë, jo vetëm në qytetin e Peshkopisë, por në mbarë Dibrën. Kryetari për Dibrën, Olti Cani, një djalë rreth të 30-ave me profesion mjek laburant thotë se deri tani, PDIU ka regjistruar 2800 anëtarë në Dibër. Ai e quan Partinë “një grupim miqsh dhe shokësh”, që i bashkon ideali i bashkimit kombëtar dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërkohë pohon një marrëveshje me Partinë Socialiste sipas së cilës, çdo kontribuues në këtë fushatë do të marrë atë privilegj që i takon në qeverisjen e Bashkisë së Dibrës. Dhe me modesti pohon arritjen e synimit, duke marrë 8 mijë votave në këto zgjedhje, për ta shndërruar PDIU-në forcë të tretë në Dibër, garanci kjo e marrjes së një mandati deputeti nga kjo parti në qarkun e Dibrës.

Drejtues të opozitës e nënvleftësuan forcën e kësaj partie, me pretendimin absurd se “nuk ka çamë në Dibër”. Me tendencën për t’i mohuar PDIU vizionin kombëtar dhe platformën e bashkimit kombëtar, të ideuar dhe përfaqësuar denjësisht nga lidershipi i saj, opozitarët e sotëm u përpoqën t’ia zbehnin fiktivisht rolin, duke harruar se vetëm para një viti PDIU u rendit forcë e parë edhe në Bashkinë e Tropojës dhe fitoi këshilltarë bashkiakë në më shumë se gjysmën e bashkive tw vendit. Ndërkohë, nga rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Dibër mund të konkludosh gjithashtu se në këtë klimë mosbesimi dhe konfliktualiteti agresiv, opinioni publik është i orientuar drejt subjekteve të reja, me programe dhe vizione në koherencë me aktualitetin. Një nga këto subjekte është padyshim PDIU, e cila ka bërë progres të dukshëm.

Para pesë vitesh, kur Shpëtim Idrizi dhe Tahir Muhedini, bënë kapërcimin epokal me bashkimin e dy partive të tyre, duke lënë mënjanë interesat si lidershipe, rrallëkush mund ta besonte se PDIU-ja e tyre do të thyente tabunë e të quajturit vetëm parti e çamëve, duke u bërë parti me shtrirje mbarëkombëtare. Por edhe zgjedhjet e së dielës në Dibër, janë dëshmi e faktit se ky bashkim përtej interesave të lidershipit, provon ndjeshmërinë e shqiptarëve për të mbështetur pikërisht subjekte të tilla si PDIU, që në themel të programit të saj ka bashkimin kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke iu referuar statistikave elektorale, por edhe lëvizjeve politike të vitit të fundit, arrijmë në përfundimin se pa PDIU, skena ishte përgjithësisht e palëvizshme, status quo! Ndaj dhe Idrizi ka të drejtë kur pohon se ai dhe partia e tij kanë ndryshuar me fluksin e ideve, qëndrimeve, betejave, debateve, tematikën e patriotizmit shqiptar, në të gjitha viset ku jetojnë ata. PDIU e ka pasuruar këtë tematikë në mënyrë të veçantë, atë që lidhet me bashkimin kombëtar, me Çështjen Çame, me identitetin tonë kombëtar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Tashmë që gara për kreun e ri të Bashkisë Dibër përfundoi, dhe dega e PDIU në këtë rreth u identifikuar si përcaktuese e fituesit,  anëtarësia dhe gjithë drejtuesit e rinj të kësaj dege kanë të drejtë të krenohen dhe të jenë më të bashkuar se kurrë, përtej interesave të lidershipit. Anëtarët dhe simpatizantët e PDIU në Dibër dhe jo vetëm ata, shohin tek lidershipi i kësaj partie profilin e një politikani karriere, që ka spikatur si i tillë, jo vetëm në jetën politike e parlamentare të vendit, por edhe në kancelaritë kryesore të Perëndimit, ashtu siç besojnë  tek vizioni dhe profile i deputetëve të PDIU, Mesila Doda Tahir Muhedini e Aqif Rakipi, apo dhe i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivit të Shtetit, Dr.Ardit Bido, Administratorit të Njësisë Administrative Nr.10 në Tiranë, Dr.Arjan Hamiti. Tashmë PDIU është vërtetë një faktor real në spektrin e gjerë të politikës shqiptare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?