5 mijë pedagogët e Universiteteve në protestë: Na rrisni pagën, ose ndërpresim procesin mësimor!

Pedagogët e Universitetit të Tiranës, por edhe të universitetëve të tjera të vendit, kanë dalë sot në protestë përpara godinës së universitetit, ndërsa kërkojnë rritje page.

Ata njëzëri kanë paralajmëruar bojkot të procesit mësimor, nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre.

Vetëm për pagën asgjë tjetër, duam pagën se të gjithëve u rriten, mjekësia u rritet, mësuesve e na del që samari është më i shtrenjtë se kali. Ne i nxjerrim studentët ata kanë dyfishin e rrogës tonë, hallall, po dhe ne duam pagën asgjë tjetër. Normal që do e ndërpresim procesin mësimor kemi që në 2005 pa rritje page. Ne duam pagën”, tha një pedagog i Shkencave të Natyrës.

Pedagogët kërkojnë që pagat e tyre të arrijnë nivelin e pagave të pedagogëve në rajon. Pedagogët e universiteteve i kanë dërguar një peticion kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Arsimit ku kërkojnë rritje të pagave.

Peticioni është firmosur nga pedagogët e të gjithë universiteteve. Nëse kjo nuk ndodh, pedagogët paralajmërojnë dhe bojkot të vitit akademik, i cili pritet të nisë në 17 tetor 2022.

Pedagogët propozojnë që të arrihet në nivelin e pagave të pedagogëve të universiteteve publike në Kosovë brenda 2 viteve.

Në peticionin e Sindikatës së Punonjesve të Universiteteve të Shqipërise (SPUSH) propozohet që rritja e pagës të jetë tani me 30% në tetor 2022 dhe 20% në tetor 2023.

Po kështu kërkohet:

-Rritja e financimit për kërkimin shkencor që të jetë të paktën 0.3 % e GDP më 2023, ndërkohë aktualisht në përqindjen e GDP-së është mbi 10 herë më i ulët se në disa vende të rajonit

-Kërkohet rivendosja e shtesave mbi pagë për “dëmshmëri shëndeti në punë”, për laborantët dhe stafin akademik që punojne në laboratore, në kontakte me “substanca të rrezikshme dhe preparate të tjera”

-Rritjen e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë, për personelin akademik të punësuar me kohë të plotë në IAL-të publike, për çdo vit pune, nga masa 0.5% që është aktualisht, në masën 1%, dhe nga 15 vjet që eshtē aktualisht, në 25 vjet.

-Rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare për pedagogët e brendshëm (PAE) dhe pedagogët e jashtëm me kontratë (PAK), në menyrë që kjo t’i afrohet vlerës së pagesës në universitetet private.

-Rivlerësimin e orës mësimore, pasi ka nje zbritje prej 50% tè pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit te orës mësimore të leksionit, e cila me parë kishte koeficentin 2 për leksionin në master dhe 1.5 për atë në bachelor, ndersa tani e ka koeficentin 1, duke u bërë njëlloj me oret e tjera në auditor (seminare, laboratore, praktika, etj.)

-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare.

-Kërkojnë të rishikohet menyra e përllogaritjes se tatimit mbi këto të ardhura. Kërkojnë gjithashtu pezullimin e titullit akademik “profesor”, deri në 2026 meqë doktoraturat e reja u rihapën më 2022, ndërsa për periudhen 2013 -2022 kanë qenë të mbyllura, duke e bēre tëpamundur realizimin e kētij kushti.

Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve tha se janë 5 mijë pedagogë në Shqipëri që janë me këtë protestë.

SHKARKO APP