Pedagogët kërkojnë të vaksinohen

Megjithëse auditoret në universitete janë bosh për shkak të pandemisë, sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë kërkon që këta punonjës  të përfshihen në grupet e riskuara.

Kryetari i sindikatës Skënder Kovaçi thotë se këtë kërkesë e ka dërguar në tre institucione kryesore, me justifikimin se  rikthimi në auditore është domosdoshmëri, por rreziku është ende i madh ndaj kërkojnë siguri përmes vaksinimit.

“Gjatë shtator-tetorit kur ne u ballafaquam me një sezon shumë të ngjeshur ndodhi një infektim masiv i mjaft pedagogëve, prandaj u pa e arsyeshme që të kalohet mësimi online. Mirëpo e theksoj, që kjo mos përsëritet, sindikata i ka kërkuar qeverisë që ta fusë në precedencë pikërisht vaksinimin e profesorëve,” tha ai.

Mësimi online pritet të ndikojë negativisht te studentët që e kanë domosdoshmëri praktikën mësimore, ndaj një tjetër kërkesë e kësaj sindikate është që me përparësi të shihen edhe kjo kategori.

Ata të cilët kanë nevojë për formimin praktik, pra në procesin e mësim-nxënies, ata janë më të diskriminuarit si rezultat i mësimit online. Kështu që ata të cilët kanë nevojë për formimin praktik, ata e kanë më të nevojshëm kthimin në auditor. Këtu mund të bëhet edhe një politikë gjatë procesit të vaksinimit ,” shtoi Kovaçi.

Në fillim të vitit të ri, komiteti teknik i ekspertëve vendosi që studentët do të vijojnë të zhvillojnë mësimin online edhe për të paktën dy javë dhe ndërkohë situata do të mbahet në vëzhgim të vazhdueshëm.

Disa universitete kanë vendosur që sezonin e parë të provimeve ta shtyjnë në fund të viti akademik, për shkak të rrezikut të pandemisë.

SHKARKO APP