Pedagogu i Durrësit rrëfen për “KJ” presionet dhe kërcënimet e Qeverisë: Rama nuk do e kalojë pa u lagur

Bisedoi: Herion Mesi

Lektori në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Dr. Bislim Ahmetaj zbërthen format dhe mënyrat se si institucionet në varësi të Qeverisë po u bëjnë presione dhe kërcënime jo vetëm studentëve, por edhe vetë pedagogëve, në mënyrë që ata të heqin dorë nga protesta e tyre.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, profesor Ahmetaj, i cili ishte sot pjesë e Asamblesë së Pedagogëve që vendosi vijimin e grevës, shprehet se Ligji për Arsimin e Lartë është kundërshtuar nga pothuaj të gjitha stafet akademike të universiteteve publike të vendit që në momentin e diskutimit dhe miratimit të tij. por thotë ai, Rama nuk e ka në kulturën e tij dialogun ndaj dhe situata është e tillë. Dhe për këtë arsye, thotë Ahmetaj, ligji dhe VKM-të ndër të cilat edhe ajo e dyfishimit të tarifave që duhet të paguanin studentët në ILA, janë të jashtëligjshme, ndaj dhe duhen abroguar dhe nuk njihen nga ana e pedagogëve dhe studentëve.

Ndërkaq, Ahmetaj bën me dije se nëse kjo sjellje arrogante e Qeverisë do të vijojë, atëherë greva do të përshkallëzohet, ku vetë pedagogët do të hartojnë një material që i bën oponencë në mënyrë shkencore dhe të argumentur ligjit të qeverisë, dhe ky material do të prezantohet jo vetëm në Komisionin Parlamentar të Arsimit, por edhe nëpër ambasadat e huaja, në Këshillin e Europës dhe në organizata ndërkombëtare që kanë lidhje me arsimin.

Intervista

Profesor Ahmetaj, si është situata mes kolegëve tuaj së fundmi, e krijuar që prej lëvizjes së studentëve? Dhe çfarë po kërkoni realisht me grevën tuaj?

Të jemi të qartë, nuk ka asnjë kufi midis grevës së studentëve dhe grevës së pedagogëve. Është e njëjta grevë, ka pothuaj të njëjtat kërkesa veço specifikat që i dallojnë studentët nga mësimdhënësit. Ligji për Arsimin e Lartë është kundërshtuar nga pothuaj të gjitha stafet akademike të universiteteve publike të vendit që në momentin e diskutimit dhe miratimit të tij në vitin 2014, të njëjtin qëndrim kanë pasur edhe studentët që u privuan nga regjistrimi nëpër institucionet e arsimit të lartë publik në vitin 2015 vit kur u aplikua regjistrimi i studentëve me ligjin e ri. Besoj ju kujtohen protestat e studentëve para kryeministrisë në atë kohë. Dhe nuk është kundërshtuar në mënyrë arrogante siç ka vepruar dhe po vepron edhe sot e kësaj dite qeveria, por janë dërguar qindra faqe argumente se si nuk duhej të bëhej një ligj dhe si duhet të ishte ai. Këto kundërshti ranë në veshin e shurdhër të mazhorancës siç po ndodh edhe sot 5 vite pas dështimit të këtij ligji, por edhe të gjithë “reformës” në arsim dhe jo vetëm. Ligji mbeti i pa zbatuar dhe mungesa e pazbatueshmërisë së tij u shfaq në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar kur qeveria nxori VKM-në e dyfishimit të tarifave që duhet të paguanin studentët në ILA. VKM që derdhi në fillim nëpër rrugët e Tiranës dhe më pas në të gjitha rrethet ku ka Universitete Publike në vendin tonë studentët. Në fillim Sulltan Rama, Kryeministri i vendit ju vërsul studentëve me stilin dhe gjuhën e tij të rrugës që e karakterizon. Në zhargonin e tij pervers pati fyerje, denigrime, presione vulgare, si dhe shantazhime të drejtpërdrejta. Studentët jo vetëm që s’u tërhoqën, por e përshkallëzuan qëndresën e tyre me ngujim nëpër fakultete. Atëherë ai si mjeshtër i intrigës nisi të njëjtën fushatë kundër pedagogëve dhe trupave akademike të ILA-ve. Kundërvënien e studentëve ndaj pedagogëve të tyre, denigrimin dhe depersonalizimin e figurës së pedagogut para studentëve, por edhe para publikut të gjërë. Veprimet e tij vulgare i shoqëroi edhe me nxjerrjen e disa VKM-ve në fund të dhjetorit 2018 të cilat nga analizimi i tyre rezultojnë në kundërshtim edhe me ligjin aktual të ILA por edhe me shkelje kushtetuese dhe në mungesë totale të  mundësisë për tu implementuar. Si përgjigje alegorike për pyetjen tuaj të parë po ju them; Rama veproi dhe po vazhdon të veprojë si një sulltan. Kur një provincë apo grup interesi rebelohej apo kërkonte diçka, në kohën e Perandorisë Otomane, Sulltani ose dërgonte ushtrinë dhe e shuante me zjarr dhe me shpatë rebelimin, ose nxirrte fermanë dhe i zgjidhte kërkesat e tyre, qofshin ato ekonomike apo politike gjithmonë, duke rënduar buxhetin  apo liritë e një province tjetër që nuk rebelohej. Edhe Sulltan Rama nxori VKM-në e dhjetorit pikërisht për të shuar protestën e studentëve dhe për ti kundërvënë studentët dhe pedagogët me njëri-tjetrin. Ndaj si studentët, si stafet akademike nuk kërkojnë gjë tjetër veçse abrogimin e Ligjit për ILA-të dhe mos njohjen e fermanëve të tij të dhjetorit 2018. Jemi në sintoni të plotë me studentët tanë.

Pas skadimit të afatit që i dhatë javën e kaluar, si dhe pas dështimit për bisedime mes Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse me Ju, lidhur me kërkesat tuaja, tashmë keni nisur një grevë. Në fakt çfarë pritet të ndodhë me grevën, do jetë e përqendruar thjesht në moszhvillim mësimi, apo ka ndonjë plan për përshkallëzim të saj?

Sulltan Rama nuk respekton afate, nuk e ka në praktikën e punës së tij dialogun. Ai thjeshtë monologon dhe si një makiavelist që do tja kishte lakmi edhe vet Makiaveli, edhe Hitleri, bile edhe  Enveri ai përpiqet të mbjellë urrejtje dhe përçarje kudo dhe midis çdokujt në këtë vend. A ju kujtohet kur ndante leje legalizimi dhe tallej me djersën dhe mundin e burrave shqiptarë, duke jua dhënë “tapitë” shumica e tyre  fallco grave. Me këtë stigmë donte të nxiste konfliktin edhe në shtratin bashkëshortor metoda të denja për sigurimin famëkeq të shtetit që aplikohen ditën për diell dhe në publik nga kryeministri i vendit. Ai mendon që duke i injoruar rregullat dhe parimet demokratike me të cilët i janë drejtuar trupat akademike të universiteteve publike e “kalon lumin pa u lagur”, ta harrojë! Ne nuk jemi ushtarë, apo rilindas që mund të na e mbyllë gojën me nga një lugë supë,  ne jemi ata njerëz që bashkë me studentët tanë do të qëndrojmë deri në realizimin e plotë, jo vetëm të kërkesave tona, por edhe të kërkesave të shumicës së shqiptarëve për normalitet, për shtet ligjor dhe demokratik. Ai po bën lojën e tij të ligë të shmangies, dhe zhvlerësimit të protestës së pedagogëve dhe studentëve, lojë që po bind edhe pedagogët dhe studentët më skeptik për t’ju bashkuar protestës dhe grevave që do të vazhdojnë në forma të ndryshme deri sa ta dorëzojmë Sulltanin.

Në vendimin e fundit të Asamblesë, keni kërkuar nisjen takimeve me Komisionin Parlamentar të Arsimit për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë. Në fakt a mos do ishte më mirë që ju vetë pedagogët të dilni me një draft tuajin më parë, e më pas të nisnit diskutimet me Kuvendin?

Në deklaratën e sotme të Asamblesë u ra dakort që një grup pune të nxjerrë një ekstrakt me arsye bindëse pse ligji dhe VKM-të janë të jashtëligjshme dhe pse duhen abroguar dhe nuk njihen nga ana jonë. Ky material do të prezantohet jo vetëm në Komisionin Parlamentar të Arsimit, por edhe nëpër ambasadat e huaja, në Këshillin e Europës dhe në organizata ndërkombëtare që kanë lidhje me arsimin. Këtë kontekst kishte ideja e takimeve. Sa i përket një ligji të ri për arsimin e lartë, padyshim që kur të vijë momenti, ne si grup interesi i drejtpërdrejtë në bashkëpunim të ngushtë me studentët, me ekspertë të fushës vendas dhe të huaj do të bëjmë një ligj bashkëkohor, të zbatueshëm dhe të gjithë pranuar.

Pak minuta më parë në një prononcim për mediat, profesor Mark Marku foli për kërcënime ndaj pedagogëve nga ana e qeverisë, e konfirmoni dhe ju një gjë të tillë?

Gjuha e urrejtjes dhe denigrimit që përdor kryeministri i vendit është kërcënimi më i madh dhe më i drejtpërdrejtë me të cilin janë ballafaquar të gjitha stafet akademike përgjatë këtij muaji që lamë pas dhe fillimit të Shkurtit 2019 , këtë fat kanë pasur të gjithë ata që kanë kundërshtuar Sulltan Ramën që kur ai ka vënë këmbën në pushtet. Në Universitetin e Durrësit më janë shprehur studentët që jua kanë kërcënuar prindërit me heqje nga puna në qoftë se fëmijët e tyre dalin dhe mbështesin protestat. Të njëjtën gjë ma kanë thënë edhe në Tiranë. Mua personalisht para disa ditësh më tha një i njohur i imi në policinë e shtetit që të kem kujdes kur flas në telefon, sepse telefoni im për shkak të angazhimit në protestat e studentëve qenka nën përgjim. Dhe doni ta dini përgjigjen time për njeriun që më vuri në dijeni për këtë: Ty të falënderoj për kujdesin që tregon ndaj meje, por unë ato që i flas në telefon janë shumë më pak se ato që i shkruaj si komente apo statuse në FB, i deklaroj nëpër mbledhje apo para kamerave. E di që përgjimi i telefonit tim është i paligjshëm, por kujt mund ti ankohesh në këtë vend ku mungon Gjykata Kushtetuese, në një vend që s’ka trupë gjykuese në Gjykatën e Shkallës së Lartë, që s’ka kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që s’ka Prokuror të përgjithshëm, që s’ka opozitë. Ka mbetur ti ankohemi vetëm vetes tonë dhe të protestojmë deri sa ta ndalim sundimin e Sulltan Ramës.

Ju si pedagog keni qenë aktiv dhe mbështetës i protestës së studentëve, por nga ana tjetër jeni dhe student i Dhjetorit ’90-të? A shihni ndonjë ndryshim mes këtyre dy lëvizjeve?

Kam qenë mbështetës aktiv së pari si prind i dy djemve studentë që dua që të ardhmen e tyre ta shohin në Shqipëri dhe jo si emigrantë nëpër vendet e botës, deri tani ja kam dalë ti bind, por nëqoftëse vazhdon e keqja, edhe ata do të ndjekin fatin e shumicës së të rinjve shqiptarë. I kam mbështetur studentët si pedagog, sepse kam parë që kërkesat e tyre janë minimumi që një shtet demokratik duhet të plotësoj për brezin e ri, i cili do të jetë e ardhmja e afërt e vendit. Sepse dua që ti inkurajoj dhe ti nxisë që ata të mos e braktisin vendin më të bukur dhe më të begatë për nga burimet natyrore në rajon dhe ndoshta në Europë, por ta ndërtojnë atë për vetën e tyre dhe për brezat e ardhshëm. Kam qenë pjesë e protestave të tyre si një njëri i angazhuar, por edhe i revoltuar njëkohësisht. Dhjetori që lamë pas na e ktheu pak buzëqeshjen, na e ripërtëriu shpresën dhe na mbushi me besim që institucioni i protestës tek bashkë-vendasit e mi nuk ka vdekur, përkundrazi është i gjallë dhe i vërtetë dhe pikërisht aty ku duhet tek studentët dhe të rinjtë shqiptarë. Ata e shkundën qeverisjen e korruptuar, ata kanë zgjuar nga gjumi i gjatë opozitën, kanë ndërgjegjësuar qytetarët që vetëm po të protestosh mund të mbrohesh nga kjo qeveri grabitqarësh. Ndryshimi midis brezit tim dhe brezit të studentëve të sotshëm(!) Kësaj pyetjeje është vështirë ti përgjigjesh. Ne kishim një mision; të shembnim diktaturën komuniste që kishte sunduar shqiptarët për 46 vite dhe atë mision e realizuam 100%. Sollëm Lirinë dhe Demokracinë në Shqipëri, ato produkte ne i lëshuam në duar të pasigurta dhe shihni Shqipërinë e sotshme . Megjithatë nuk mund të thuhet që në Shqipëri nuk ka demokraci dhe liri, pavarësisht se si dhe kush i ka përdorur, dhe i përdor  këto dy derivate që çliroi lëvizja jonë e Dhjetorit 90-të.

Misioni i studentëve të sotshëm është që me anë të protestave dhe qëndresës të vendosin Drejtësinë dhe Shtetin ligjor kaq shumë të nevojshme për funksionimin normal të një shteti demokratik dhe të lirë. Për mbyllje dua të them që diktatura komuniste në Shqipëri ishte aq e errët dhe e ligë sa do të duhen dy lëvizje studentore dhe 30 vite për ta mposhtur. Uroj ti ketë ardhur fundi! Unë jam optimist dhe do të mbetem i angazhuar që ky mision të arrihet plotësisht.

SHKARKO APP