Pelegrinazhi i përvitshëm në Kishën e Shna Ndout, sot nisën 13-të të Martat e Shenjta
Qindra qytetarë nga e gjithë Shqipëria planifikuan që mëngjesin e sotëm ta zbardhnin në Kishën e Shna Ndout, Laç.
Dhe ashtu ka ndodhur.
Sot kanë nisur 13 të martat e shenjta dhe sipas besimit të krishterë mrekullitë kulmojnë mes datës 12 dhe 13 qershorit.
Pelegrinë nga i gjithë vendi. Të bindjeve dhe religjioneve të ndryshme ngjiten në malin e shenjtë të Shna Ndout, (ku gjendet edhe Kryqi në majën më të lartë) në shenjë sakrifice, falenderimi dhe lutjeje për t’ju plotësuar dëshirat.
Sipas besimit të krishterë, një pelegrinazh i tillë praktikohet në shenjë pendese, në emër të sakrificës dhe lutjeje a falenderimi që i dërgohet këtij shenjtori, i cili njëherësh bën edhe mrekulli. Mrekulli, të cilat po sipas besimtarëve janë të faktuara me shembuj konkret, ku të lindurit të verbër me vajtjen në këtë vend të shenjtë kanë nisur të shikojnë e të paralizuarit janë ngritur në këmbë.
Në këtë tokë, pelegrinë të shumtë e të besimeve të ndryshme tregojnë që, pasi janë ngjitur në këmbë nga qyteti poshtë i Laçit deri në majën e malit ndjehen edhe më të çlirët dhe më optimistë për jetën.
Lutjet në këtë vend të shenjtë thuhen se dëgjohen nga Shna Ndou, i cili bën mrekulli nga më të paimagjinueshmet.
Pas ritualit të ngjitjes së mundimshme në mal, ndalesave tradicionale dhe rrotullimit tre herë rreth kishës, pelegrinët ndezin qirinj dhe luten për mrekullinë që kërkojnë.
Të moshuarit, tregojnë se ritualin e 13 të martave e kanë ndjekur edhe në kohën e regjimit, kur besimi në Zot ishte i ndaluar.
Qytetarë të shumtë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, etj. të martën e fundit të këtij rituali të përvitshëm mblidhen rreth kishës në majën e malit dhe kalojnë gjithë natën aty, duke u lutur.
13 qershori është edhe dita e shenjtorit, që respektohet nga besimtarët e të gjitha besimeve, katolikë, orthodoksë e myslimanë.
Shën Antoni i Padovës – apo siç njihet nga besimtarët shqiptarë si Shna Ndou – para thirrjes quhej Fernando Bulhão. U lind me 15 gusht 1195 në Lisbonë, prandaj quhet edhe Antoni i Lisbonës në disa vende dhe vdiq me 13 qershor 1231 në Arqela të Padovës dhe njihet më shumë si Shën Antoni i Padovës. Ka qenë një frat (vëlla) françeskan dhe është shenjtor i kishës katolike, i cili njihet për një përkushtim shumë të forte ndaj saj.
Në Shqipëri është një nga shenjtët më të dashur e më të njohur nga të krishterët.
Në fillim i përkiste urdhërit agostinian në Koimbra (1210) e më pas franceskan në vitin 1220. Ai udhëtoi shumë, duke jetuar më parë në Portugali dhe pastaj në Itali. Në vitin 1221 ndeshi Shën Françeskun e Asizit, në Porciunkola që e ftoi në manastirin e Montepaolos, pranë Forlit, ku filloi veprimtarinë e tij si predikues. Njëkohësisht profesor teologjie dhe predikues luftoi herezinë katare, veçanërisht në Francë, me fuqi të madhe e të suksesshme. U shpërngul pastaj në Bolonja e më pas në Padova dhe është shenjti mbrojtës i këtij qyteti.
Shën Antoni vdiq në moshën 36-vjeçare pas një jete shenjtore. Për numrin e shumtë të mrekullive që i njihen, ai u kanonizua një vit pas vdekjes nga Papa Gregori IX. Në vitin 1946, Papa Pio XII e ka renditur Shën Antonin (Sna Ndoun) mes doktorëve të kishës katolike dhe i ka dhënë titullin doktor evangjelik, në lidhje me shkrimet e tij dhe në predikimet që bazohen në citimet e Ungjillit.
Bazilika e madhe e Padovës i është përkushtuar Shën Antonit. Datëlindja e tij është sjellë nga tradita. Festa e tij është më 13 qershor dhe në Padova festohet me kremtimin e një procesioni.
Në kishën e Shna Ndout në Laç mblidhen afro 1 milionë besimtarë pelegrinë, duke besuar dhe shpresuar në shërimin e sëmundjeve, zgjidhjes së problemeve e daljes nga vështirësitë e jetës kur i ndjeshëm ka qenë rasti i kthimit të shikimit të një pelegrini nga Vlora (sipas fretërve të Kishës). Objektivi mbetet Shenjtëria e Shna Ndout dhe është një shpellë diku, një shkrep i madh para dhe një kryq gjigand, në bazën e poshtme të të cilit ndizen qirinj të shumtë.
Në kujtimet e At Zef Pllumit për Kishën e Shna Ndout thuhet kështu:
“Prej disa shekujsh, kjo Shejtnore konsiderohet si vendi ma i shejt në tokën e Shqipnisë, i frekuentuem prej besimtarve të gjitha religjioneve. Ky vend thirret “Shejt” sepse Zotu u flet këtu shpirtënve e zemrave të besimtarëve, ndigjon lutjet e tyne dhe shpesh herë me mënyra të jashtëzakonshme i plotson dishiret e tyne. Gjatë shekujsh besimtarët këtu kanë pasë dy pika takimi: 1) – Shpellën e Shna Vlashit, 2) – Shejtnoren e Shna Ndout.
Përballë vendit shejt në majë të malit shifen rrenojet e nji kalaje të vjetër. Aty ishte qyteza e Sebastes, ku ishte Ipeshkëv Shna Vlashi, i cili kishte ikë prej qytezet dhe ishte mshefë në atë shpellë në shkamb të gjallë. Paganët e kapën dhe e mbytën. Dita e martirizimit të tij përkujtohet më 3 shkurt.
Në nji relacjon te vj.1641 që Mark Skura dërgon në Romë thohet: “Aty asht edhe shpella e Shën Vlashit Martir, i cili kje kapë aty prej njerzve të Agrikolaut, larg nji të tretë mili larg nga qyteza e Sebastës”. Françeskanët erdhën në Shqipni në vj. 1240 e përhapën edhe divocjonin e Shna Ndout. Që nga vjeti 1349 dokumentat e përmendin si Kuvend Novicjatit, ku fretënt fillojn jetën shpirtnore tue kalue me uratë, pendesë e dishir me u shejtnue në atë vetmi malore.
Historiani i Provincës Françeskane të Dalmacisë P. Fabianich, kur shkruen për Kuvendin e Fretënve të Sebastes thotë: “Kisha e vjetër, mbahet e çmohet me devocion si Shejtnore, si prej të krishtenve ashtu edhe prej myslimanëve, të cilët dynden aty me shumicë për me kremtue festën e Shna Ndout. Provinca Françeskane e Shqipnisë e mbajti gjithmonë si Kuvend ma me randsi, sepse vizitohet nga shtegtarët prej të gjitha anëve të Shqipnisë”.
Burimi: VOX ALBANIAE – Foto: J. Sakajeva, A. Gjergji /