Pengmarrja e shqiptarit, policia greke jep detaje: Si u mor në stacion
Policia greke jep detaje lidhur me operacionin e koduar “Korinthos”, gjatë të cilit u lirua një shqiptar i marrë peng, ku për lirimin e tij i kërkonin 10 mijë euro.
Autoritetet helene deklaruan sot se mbrëmjen e 23 gushtit janë arrestuar katër shqiptarë, tre meshkuj 19, 41 dhe 49 vjeç dhe një femër 35 vjeçe.
I dyshuari kryesor është 49-vjeçari shqiptar i cili në stacionin e autobusëve në Lutraki të Korinthas, ka marrë peng 31-vjeçarin.
Pas kësaj ai është mbajtur peng nëpërmjet dhunës në një banesë në zonën e Nemea të Korinthia, ku në këmbim të lirisë i kërkoheshin 10 mijë euro.
Pas njoftimit nga Interpol, më datë 23 gusht u organizua operacioni dhe 31-vjeçari u la i liorë, ndërsa të dyshuarit u arrestuan.
Sakaq në një deklaratë zyrtare Policia shqiptare e Shtetit tha sot se falë inicimit nga Policia e Tiranës, dhënies së informacionit në kohë reale Policisë greke me adresën e saktë të vendndodhjes së pengmarrësve dhe mbajtjes së pengut, policia greke bëri të mundur lirimin e pengut dhe arrestimin e katër ttë dyshuarve.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Policinë e Tiranës morën informacion se në një fshat të Korinthos, Greqi, disa shtetas shqiptarë për motive të dobëta kishin marrë peng një person nga Tirana dhe i kërkonin 10.000 euro për ta lënë të lirë.
Pas një hetimi disa ditor duke përdorur metodat speciale të hetimit, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe Policinë greke, me ndërmjetësimin e Interpol Tirana, finalizoi me sukses operacionin policor ndërkombëtar “Korinthos”.
Policia e Tiranës, falë informacionit të grumbulluar për vendndodhjen e saktë të autorëve dhe vendit ku mbahej peng shtetasi J.T., i ka dhënë nëpërmjet Interpol Tirana, Policisë greke informacion të saktë në kohë reale mbi vendndodhjen (adresën e banimit) të personit të marrë peng dhe pengmarrësve.
Policia greke mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin në flagrancë të Xh.N., 49 vjeç, H.M., 35 vjeçe, B.M., 41 vjeç dhe M.M., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, si rezultat i ndërhyrjes në kohë është bërë i mundur lirimi i pengut, shtetasi J. T., banues në Tiranë. Po në vijim të operacionit Policia e Tiranës bëri kapjen dhe arrestimin në flagrancë të L.P., 24 vjeç, banues në Tiranë, bashkëpunëtor.
Aktualisht Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë vazhdon punën intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë për Krime të Rënda, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” e kryer në bashkëpunim.
KOHA JONË SONDAZH

