Për “çështje nderi” 23-vjeçarja pas lindjes, braktis fëmijën në maternitet

 

Një vajzë që sapo kishte lindur ka braktisur foshnjën që solli në jetë për të mos cënuar “nderin e saj apo të familjes”, duke alarmuar fillimisht Maternitetin e Durrësit dhe më pas policinë.

Nga hetimet mësohet, se vajza 23-vjeçare u paraqit në ora  09.30 të paradites së djeshme në Maternitetin e Durrësit dhe po atë ditë, pas lindjes u zhduk pa lënë gjurmë.

Mësohet se 23- vjeçarja B.M., kishte lindur një foshnje të seksit mashkull,  mirëpo pasi iu ka ikur syrit të mjekëve rreth orës 18.00, ajo nuk u kthye më, duke braktisur foshnjën e porsalindur.

Vajza 23-vjeçare nuk ishte e martuar dhe dyshohet se shtatzënia ka qenë fryt i një lidhje të pa zyrtarizuar që ajo ka patur. Ajo dyshohet se ka qëndruar e mbyllur muajt e fundit.

Braktisja e foshnjës është bërë për të “ruajtur nderin” dhe prej faktit se vajza apo familja e saj i druhej opinionit. Për më tepër hidhet dyshimi se ajo është larguar brenda ditës duke u kthyer në banesë, në mënyrë që në darkë të ishte në shtëpi dhe të mbulonte “njollën e turpit”.

Gjithsesi, Policia ka nisur hetimet ndaj vajzës për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, dhe po kërkon motivet e vërteta të braktisjes së fëmijës.

SHKARKO APP