Për Dibrën, përtej politikës
Nga: Alban Daci
Për Dibrën flitet shumë pak në media, në Parlament, në televizione, edhe pse personazhet më të rëndësishëm të Shtetit shqiptar janë nga Dibra ose nga Qarku i Dibrës, ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë Kombëtare kanë ndodhur në Dibër, ose kanë pasur për protagonist dibranët. Dibra, duket sikur është lënë qëllimisht në harresë nga pushteti ose në rastet më të këqija, është përdorur për t’i shërbyer atij.
Qarku Dibër është një ndër qarqet më të mëdha për nga shtrirja gjeografike se, fillon në Tiranë e mbaron në Kukës, fillon në Elbasan e mban në Maqedoni, fillon në Mirditë e mbaron në kufi më Kosovën.
Qarku Dibër është ndër më të pasurit për nga pasuritë tokësore, me minerale, lumenj, male, bjeshkë, lugina, fusha, liqene. Ka një pasuri të madhe folklorike, tradita të pasura e të mrekullueshme, veshje etnografike të mrekullueshme, dialekte të shumta gjuhësore. Madje, aq të shumta janë këto realitete, sa edhe pse dy fshatra janë kufitarë, kanë dialekte të ndryshme, veshje të ndryshme folklorike dhe karakteristika të veçanta popullore.
Qarku Dibër nis me Shkopetin, Ulzën, Bazën, Klosin, Burrelin, Bulqizën, Maqellarën, Peshkopinë, Sllovën e mbyllën me Kalanë e Dodës, në anën perëndimore është ndoshta mrekullia e 8 botërore, sepse, kështu meriton të quhet, Lura me kurorën e saj. Nuk dua të përmend figurat historike e intelektuale, se janë të shumtë dhe janë shkruar libra për ta, por duhet të theksojë se Dibra, ka nivelin më të lartë në Shqipëri, të figurave të shquara në fusha të ndryshme të jetës, por edhe në listën e burrave shtetar që kanë pasur rol protagonisti në historinë shtetërore të Shtetit shqiptar nga 1912 e deri më sot.
Dibra, ka qendra të jashtëzakonshme historike, kala të mrekullueshme që datojnë që në kohën e Skënderbeut e më parë. Ka vende arkeologjike që datojnë që në kohën e gurit dhe bronzit. Këto vende me rëndësi të jashtëzakonshme historike, janë lënë në mëshirën e fatit apo në harresë totale. Procesi i zbulimeve arkeologjike në gjithë Qarkun e Dibrës është thuajse i virgjrës, thesare të jashtëzakonshme historike janë akoma të lënë në harresën e kohës e të mbuluar me baltë e shekujve.
Po ashtu kullat dibrane, të cilat një pjesë idenfitikohen me personazhe të jashtëzakonshme historike, janë rrënuar ose po rrënohen, një pjesë e mirë e tyre meritojnë të kenë statusin momente kulture të kategorisë së parë. Po Ashtu ajo që është e pafalshme dhe e tmerrshme është fakti se: Skënderbeu në vendlindjen e ti nuk ka një muze dinjitoz, ndoshta më dinjitozin që duhet të kishte, por vetëm me një monument në Qendër të qytetit të Peshkopisë dhe një tjetër në Valikardh. Është e pafalshme që Dibra nuk ka një shtëpi muze për Nikoll Kacorrin, Iljaz Pash Dibrën e shumë figura të tjera të rëndësishme me dimensione të jashtëzakonshme kombëtare.
Dibra, ka një infrastrukturë primitive e madje jam i sigurt se ka infrastrukturën më primitive në krejt Ballkanin. Dibranët e matjanët janë njerëz shumë punëtorë, që kanë një lidhje të hershme me tokën, bujqësinë dhe blegtorinë. Ata nuk duan mëshirë nga asnjë lloj pushteti, duan vetëm infrastrukturë dhe pastaj zhvillimin dhe rritjen ekonomike e sigurojnë me forcat e tyre. Propagandë e madhe është bërë në lidhje me projektin e ndërtimin e “Rrugës Arbrit” që në të gjitha projektet fillestare ishte ideuar si autostradë kjo duke pasur parasysh se ky segment rrugor ka edhe një impakt të madh për shqiptarët në Maqedoninë Veriut, por edhe për vendet e tjera që afrohen shumë me Portin e Durrësit duke i dhënë këtij të fundit rolin që i ka dhënë historia si porta më e rëndësishme në Jon dhe në Adriatik për Ballkanin dhe jo vetëm.
Dibra, ka shërbimin më primitiv shëndetësor, me qendra shëndetësore nëpër fshatra, që nuk plotësojnë asnjë lloj kushti, qoftë si ndërtese e për të mos folur pastaj për komoditet apo për shërbim cilësor shëndetësor. Shumica e qendrave shëndetësore janë gjithmonë mbyllur dhe nënat dibranë vazhdojnë të lindin në kushte shtëpiake si 100 vjet më parë, ose nëse kanë kohë në dispozicion t’i drejtohen të vetmit spital, ati të Peshkopisë. Dibra, ka profesor mjekësie me famë në Tiranë, por shërbim primitiv shëndetësor në Dibër.
Qarku Dibër ka bujqësi primitive, akoma në kohën e parmendës, ashtu siç punonte tokat Gjoni, babai i Skënderbeut në fshatin Kastriot. Dibra, kam përshtypjen se ka bujqësinë më primitive në Ballkan dhe jo vetëm në Shqipëri. Mungesa e infrastrukturës, mungesa e kredive të buta, subvencioneve dhe projekteve lokale apo qendrore të zhvillimit, e kanë lënë fshatin e Dibrës në kushtet e mesjetës, ku të gjitha proceset e mbjelljes, vjeljes të prodhimeve bujqësore bëhen me forcën e krahut dhe të kafshëve. Akoma kali dhe gomari janë simboli i shpëtimit, komunikimit dhe zhvillimit në Dibër. Megjithatë, përtej kësaj, dibranët e matjanët, janë shumë punëtorë, bëjnë prodhime shumë cilësore bujqësore, duhet të theksojmë se shumica janë krejt “bio”, por përsëri nuk ka politika lokale dhe qendrore që mbron, promovon dhe lehtëson tregtimin e tyre. Pengesë madhe për të tregtimin dhe promovimin e tyre është përsëri mungesa e infrastrukturës.
Qytetet e mëdha të Qarkut Dibër, duke nisur me Klosin, Burrelin, Bulqizën dhe Peshkopinë, kanë probleme të mëdha, janë jashtë çdo perspektive të zhvillimit urban, koha duket sikur është ndaluar 50 vjet më parë. Mungojnë fonde, projekte urbani dhe zhvillimi për të ofruar dimensionet e kohës të jetës urbane. Zhvillimi i vazhdueshëm demografik, nevojat e reja, kanë krijuar kushtet për themelimin e qendrave të reja urbane, ose të qytezave të reja të mirëfillta që duhet të ketë të gjitha shërbimet, duke përfshirë edhe aparatet shtetërore. Dibra ka nevojë për qyteza të reja e këto duhet të jenë; Shupenza, Gjorica, Maqellara, Kastrioti, Sllova, Kalaja e Dodës, Fushë Alia, Lura dhe Zallëdardha. Krijimin e këtyre qytezave të reja, me të gjitha shërbimet dhe nevoja urbane, do të bëhehsin epiqendra të rëndësishme të zhvillimit turistik, të promovimit të prodhimeve dhe vlerave të territorit dhe do të lehtësonte komunikimin me qendrat e mëdha urbane ekzistuese.
Dibra ka nevojë për një dimension të ri në lidhje me shfrytëzimin e minierave, që duhet të kalojnë në administrim lokal dhe po ashtu, duhet të ketë marrëveshje mes institucioneve lokale dhe atyre që shfrytëzojnë pasuritë minerale, që një pjesë të ardhurave që nxjerrin, në formën e një taksim (10-15%) të shkojnë për investime lokale dhe për zhvillimin lokal. Nuk ka më kuptim, të huajt vijnë e vjedhin Bulqizën, marrin miliona euro fitim në vit nga shitja e minerale e në të njëjtën kohë, vetë qyteti i Bulqizës është ndoshta më primitivi botë e qytetarët jetojnë në varfëri ekstreme dhe në kushtet e skllavërisë, i madh dhe i vogël.
Në Qarkun e Dibrës duhet të ketë politika të reja për shfrytëzimin dhe administrimin e ujërave, si për ujërat e pijshëm edhe për ata që përdoren dhe duhet të përdoren për vaditjen, Duhet të ketë një plan të mirëfilltë për studimin e Luginës së Drinit dhe margjinalizimin e tij, sidomos në Gjoricë, Fushalie dhe në Lugje.
Dibra, ka pasur dhe ndoshta nivelin më të lartë arsimdashës në Shqipëri dhe në vite ka prodhuar figura me dimensione të jashtëzakonshme akademike, historike, artistike dhe në shkencat mjekësore. Dibra, për shkak të madhësisë dhe shtrirjes së madhe që ka si territor, ka nevojë urgjente për hapjen e një dege të universiteti Shtetëror të Tiranës, ose dibranë vetë, të marrin iniciativën, kudo ku janë të projektojnë hapjen e një universiteti privat, të akredituar dhe të prestigjioz që do të kishte një dimension shumë të rëndësishëm për krejt qarkun. Ndoshta, mund të shikohej edhe mundësia e bashkëpunimit me Universitetin e Tetovës, duke parë që nuk janë shumë larg.
Emigrimi i vazhdueshëm, politika përçarë dhe shfrytëzuese i ka bërë një dëm të madh Dibrës. Sot, Dibra ka një elitë politike mediokër ose më mirë të themi të asgjësuar dhe kjo është bërë qëllimisht nga Tirana, për ta kontrolluar dhe për ta monopolizuar atë. Politikanët e Dibrës, që jetojnë në Dibër dhe aderojnë në partitë politike shqiptare, me formimet e tyre, të kaluarën e tyre dhe qëndrimet e tyre të pështira prej servili, nuk justifikojnë vlerat dhe cilësitë që ka shoqëria dibrane. Pra, klasa politike e Dibrës nuk është në lartësinë e duhur dhe nuk justifikon peshën dhe forcën që kanë në të vërtetë dibranët në fusha të ndryshme akademike dhe profesionale brenda dhe jashtë vendit.
Dibranët, që kur u shfaq njeriu në tokë, kanë qeverisur gjithmonë vetë territorin e tyre përmes kuvendeve të burrave ose përmes iniciativave me karakter lokal si kundërpërgjigje ndaj pushtuesve të shumtë, por jo vetëm kaq, kanë qeverisur dhe kanë kontribuar edhe në dimensionin kombëtar, duke qenë protagonistë të linjës së parë të proceseve të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale. Dibranët kanë qeverisur territoret e tjera dhe kanë ndërtuar qytete të tjera. Është hera e parë që në zgjedhjet e 2017, dibranët qeverisen dhe drejtohet nga jabanxhi. Pra, të “huajt” kanë ardhur në Dibër për tu dhënë mend dhe për t’i mësuar.
Dibranët nuk e kanë më protagonizmin që kanë pasur gjithmonë në nivel kombëtar, por nuk qeverisin e nuk drejtojnë më as shtëpitë e tyre. Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e romakëve, osmanëve, Luftën I, II e as në periudhën e errët të komunizmit. Pushteti aktual ka më shumë se në dy mandate që e përdor Bashkinë Dibër për interesa të pastra politike duke e lënë de facto dhe de jure pa përfaqësim. Pra, ka thuajse 8 vite që Dibra nuk ka një kryetar Bashkie të zgjedhur me votat e dibranëve, me dinjitet të pavarur dhe me vullnet të fortë për ta qeverisur si duhet! PS ka bërë aq shumë eksperimente për interes të pushtetit në kurrizin e qytetarëve të Dibrës sa nuk meriton më të ketë në dorë drejtimin e Bashkisë.
Po ashtu duhet të kemi kurajën të themi e të pranojmë se edhe në periudhën e qeverisjes së PD, kjo e fundit nuk ka mundur të ofrojë figura dinjitoze dhe për hire të vërtetë ish kryetarët e Bashkisë Dibër të dalë nga sigla e PD nuk kanë ndonjë reputacion të mirë e nuk kanë lënë shenjë në qytetin e Peshkopisë, që vazhdon të jetë thuajse primitivë me të njëjtën infrastrukturë të trashëguar nga Regjimi. Qytetit i Peshkopisë ka perspektiva të mëdha për të qenë një qytet dinjitoz, por faktet dëshmojnë një qytet të eksperimenteve politike dhe të braktisur nga qeverisja dinjitoze në shërbim të qytetarëve.
Fakti se Bashkia Dibër bën pjesë në ato Bashki që do të bëhen zgjedhje të parakohshme dëshmon qartë se Pushtetit aktual nuk e ka pasur kurrë me seriozitet qeverisjen e kësaj bashkie, por e ka përdorur vetëm për të siguruar ekuilibrat e saj. Në zgjedhjet e fundit objektivi kryesor ishte numri i mandateve të përfaqësimit në Parlament dhe jo realisht fati i qeverisjes lokale. Historia e Dibrës në këto vite tranzicioni bën pjesë në ato zona që ka prodhuar deputet e ministra, por të cilët me të arritur në Tiranë kanë harruar misionin e tyre të përfaqësimit duke e përdorur kandidimin e tyre vetëm për katapultim karriere.
Tashmë kemi zgjedhje edhe për Bashkinë e Dibrës me datë 6 mars dhe Partia Demokratike ka detyrim historik dhe për faktin e bastionit t’i rikthej borxhin Dibrës me një kandidaturë serioze që e ka për zemër Dibrës dhe po ashtu ka pasionin dhe dëshirën e madhe për të ofruar vizione serioze për ndryshime radikale urbane dhe jo vetëm. Peshkopia mbi të gjitha ka nevojë për një vizion serioz e modern për ta transformuar këtë qytet në sfidat e kohës e duke i dhënë statusin e një qyteti malor për turizmin ashtu siç e meriton. Partia Demokratike këtë duhet të dal nga skemat klasike të së kaluarës duke ju referuar vetëm drejtuesve të forumeve të PD në Dibër e po ashtu duhet të dal edhe skemat e lobimit të ofruar nga Tirana që në fakt siç ka dëshmuar koha i kanë shërbyer pushtetit dhe jo përfaqësimit. PD duhet të jetë serioze e dashamirëse këtë herë më Dibrës duke i ofruar një personalitet të mirëfilltë që jo detyrimisht duhet të vij nga radhët e forumeve të PD- Dibër!