Për herë të parë në historinë e SHBA! Një grua emërohet Sekretare e Thesarit
Senati amerikan miratoi të hënën kandidaten e Presidentit Joe Biden për postin e sekretares së thesarit. Janet Yellen, e cila bëhet shefja e 76-të në historinë e vendit që merr drejtimin e këtij institucioni, është e para grua në këtë rol.
Zonja Yellen u miratua me 84 vota pro dhe 15 kundër, duke u bërë anëtarja e tretë e kabinetit të Presidentit Biden që kalon procesin e konfirmimit në Senat.
Ajo pritet të luajë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Presidentit Biden për të siguruar miratim për paketën e ndihmave prej 1.9 trilionë dollarësh në përgjigje të pandemisë. Paketa ka hasur në rezistencë të fortë nga republikanët në Senat, të cilët duan një paketë shumë më të vogël.
Duke folur pak para votës në Senat, udhëheqësi i shumicës demokrate, Chuck Schumer vuri në dukje se zonja Yellen, ish-kryetare e Rezervës Federale, gëzon mbështetje dypartiake.
Zoti Schumer tha se zonja Yellen ka një eksperiencë shumë të gjerë dhe mbështetja për të reflekton “se sa e përshtatshme është ajo për të menaxhuar sfidat ekonomike të kohës sonë… sidomos këtë moment krize ekonomike”.
Gjatë seancës për konfirmimin e saj në Komisionin e Senatit për Financat javën e kaluar, zonja Yellen argumentoi se pa veprime të menjëhershme, vendi do të kërcënohet nga “një recesion më i gjatë dhe më i dhimbshëm”. Ajo bëri thirrje për veprim të shpejtë për të miratuar paketën e ndihmave kundër goditjes së pandemisë, e cila përfshin pagesa të drejtpërdrejta prej 1400 dollarësh për individë që marrin më pak se 75,000 dollarë në vit, zgjerimin e asistencës së papunësisë si dhe mbështetje për bizneset dhe qeverisjet lokale në vështirësi.
Plani ofron fonde edhe për shtimin e ritmeve të prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave.
Gjatë seancës së konfirmimit, zonja Yellen u ndesh me rezistencë të fortë lidhur me paketën e ndihmave nga republikanë që argumentojnë se në kusshtet e defiçitit buxhetor, kjo paketë është e tepruar. Ata gjithashtu kundërshtojnë rritjen e pagës minimale në 15 dollarë në orë.
Senatori me peshë Charles Grassley, republikan nga shteti Ajova, reagoi gjatë seancës me pyetje përgjigje për zonjën Yellen, duke thënë se paketa është “një listë gjithë-përfshirëse e reformave të ri-strukturimit ekonomik liberal”.
Si sekretare e thesarit, 74-vjeçarja Janet Yellen do të luajë një rol të rëndësishëm në drejtimin dhe formulimin e politikave ekonomike të Presidentit Biden. Ajo vjen në këtë detyrë pasi drejtoi për katër vjet Rezervën Federale nga 2014-2018.
Me profesion ekonomiste, me përvojë si profesore në Universitetin e Kalifornisë në Berkley, zonja Yellen do të përfaqësojë Presidencën Biden në çështje financiare globale, si dhe do të mbikqyrë politikat mbi rregulloret bankare dhe do të shërbejë si pikë kontakti me sektorin financiar.
Në bazë të dokumenteve të saj financiare, ajo ka bërë më shumë se 7 milionë dollarë falë fjalimeve apo angazhimeve të ndryshme, përfshirë ndër to me edhe me firma financiare. Zonja Yellen ka rënë dakord të izolohet nga vendime që prekin interesat e firmave me të cilat ajo ka pasur shkëmbime në të kaluarën./voa