Për mirë apo keq, është reklamë, hashtagu #Albania, 320 milionë kërkime
Një publicitet i pa paguar, por po shfrytëzohet siç duhet? Vetëm një batutë mjafton që të kthehesh në qendër të vëmendjes, kjo është mëse e vërtetuar. Këtë herë jo për ndonjë mrekulli të vetë Shqipërisë, e cila padashur e pa pritur u bë për një javë shteti më i diskutuar, komentuar dhe më virtuali në rrjete sociale por shtrohet pyetja a përfituan nga ky publicitet e vëmendje e dhuruar?
Por cila është zanafilla! Gjithçka nisi me një deklaratë të datës 19 prill të sekretarit britanik të drejtësisë Michael Gove, kur tha: “Pse ne të gjithë në referendum do të votojmë për t’u larguar, do të bëhemi pjesë e një zone ku vende si; Bosnja, Serbia dhe Shqipëria kryejnë lirisht tregti midis njëra-tjetrës. Jam i sigurt që Britania do të arrijë të lulëzojë në këtë mjedis të ri”.
Provo të shkruash në google, #Albania, dhe pa frikë do të shikosh që komentet, lajmet, analiza, slogane, batuta janë të panumërta. #Albania për një javë, sensacioni i botës dhe plot 320 milionë kërkime. Aspak keq për një vend që pret një sezon turistik.
Gjatë kësaj jave emri i vendit tonë është ndër të më lakuarit të medias sociale të Britani, qoftë për mirë a për keq, vendi ynë po klikohet dhe kjo rrit edhe më tej kuriozitetin. Kaq mjaftoi që për një javë kjo deklaratë të kishte objekt Shqipërinë dhe polemikat e kritikat e nxitura. Një slogan ku ironizohet vendi ynë, ku britanikët janë kundër modelit Shqiptar.
Benzinë zjarrit i dha dhe editoriali i Kryeministrit Edi Rama, në “The Times”, ku ndër të tjera, theksoi se: “Jam plotësisht i bindur se qëndrimi i Britanisë në Bashkimin Europian është gjëja më e mirë për Europën, por edhe për Shqipërinë. E ndërkohë jam po aq i bindur se ky vendim do të ishte më i miri edhe për Britaninë dhe miliona njerëzit e tjerë në Europë e më gjerë, që sot i bëjnë thirrje popullit britanik: ju lutem mos u largoni”.
Por diplomacia e Kryeministrit nuk qëndroi me kaq, një intervistë dhe me “Sky News”, ku nënvizoi se: “Dëgjova për herë të parë nga dikush në zyrën time dhe në fillim kujtova se ishte shaka, por pastaj kur i hodha një sy tekstit, duke njohur dhe respektuar inteligjencën e z.Gove, u habita. Mu duk e çuditshme që z.Gove po bënte thirrje për këtë lloj konfederate dhe për një model që ne shqiptarëve nuk na pëlqen ta kemi si model të marrëdhënieve me BE-në. Ne duam të jemi pjesë e BE-së, e jo të vuajmë jashtë BE-së kushtet që na imponon kjo lloj situate, ky lloj pozicioni që kemi aktualisht”.
Nëse i gjithë ky publicitet i dhënë falas do të shërbejë në të mirë të turizmit, neve na ngelet vetëm të presim e të shohim rezultatet, ndërkohë ju mos nguroni që në rrjete sociale me shenjën #Albania të promovoni vendin siç duhet, pa slogan në lidhje me Britanikët. Redjon Shtylla