Për të mos patur 26 nëntor tjetër…
Inxh. Agim Berisha
Tërmetet e njëpasnjëshme na kujtuan që tashmë jemi “banorë” të një zone aktive sizmike bregdetare, nga më të “këqijat”, ç’ka e bënë ndërtimin të “padëshirueshëm”, nëse nuk respektohen kushtet teknkike të zbatimit (KTZ) dhe kriteret e hartës sizmike… Përsëritet shpesh cfarë të mbjellësh, do të korrësh… Kjo situatë është pasojë e një “investimi” të mbrapshtë shumë vjeçar, ku mbigjithçka është paraja spekulative. Diplomohen studentë me kriterin e vetëm lekun. Lejohen ndërtime paleje pa një vlersim tekniko-urbanistik, mjafton të paguash inspektorin apo shefin e bashkisë. Bëhen shtesa anësore pa u lidhur me objektin ekzistues, apo shtesa në lartësi pa njohur aftësinë mbajtëse të tabanit apo mureve. Një pallat shtatë katësh përfundon njëzet e ca katësh… e komplekse të tëra, pallatesh të ndërtuara në vijën e parë të detit, mbi tabane ranore, që lehtësisht transformohen në llum… E shumica presin legalizimin… “Harrohet” se ligji antindërtim paleje, është për ruajtjen e jetës së qytetarëve, jo burim të ardhurash nga “gjobëvënja”… Bëhen emërime, pa përfillur kërkesat profesionale. Këto edhe në institucionet primare parandaluese të fatkeqësive, që kërkojnë inxhinier me eksperiencë të gjatë.
Kam parë shofer e oficer policie drejtor ALUIZNI, te IKM, te Policia Ndërtimore, prefekti, patjetër edhe te Emergjencat Civile, forca e shtetit në kohë fatkeqësish natyrore… Me të tillë, shteti është i paaftë të mbrojë qytetarët e vet… Drejtimi ekonomiko-social i vëndit, bëhet me specialistë teknikë… Para ca kohësh, shikoja një film të huaj, ku inspektori ndërtimor ndëshkonte njërin, që ndërtonte një objekt me konstruksione druri, patjetër me leje, ngaqë nuk kishte certifikatën e garancisë së trarve të drurit… Për analogji po mundohesha të gjeja një institucion në vëndin tim, që ndjek apo kontrollon cilësinë e qëndrueshmërinë e veprave ndërtimore…, akoma më pak, administrimin periodik të veprës ndërtimore. Por e pamundur… Edhe më keq kontrolli antisizmik, megjithëse kemi eksperienca të hidhura me tërmetet… Tërmetet as parashikohen, as ndalohen, por dimë shkaqet, diagramën e “historikut”, e sidomos masat antitërmet… Tërmete bien kudo, në Japoni me qindra në ditë edhe dy tre shkallë më lartë, e ia kanë dalë të mbrohen…
Gjithsesi, tërmetet e fundit, janë klithma, për rritje të përgjegjësisë shtetërore, në nivel të përvecëm institucional, ndaj sigurisë preventive të objekteve, por edhe të qytetarëve të tij, kostoja e të cilave është shumë herë më e vogël se e postkatastrofave. Pavarësisht kush ndërton, të gjithë kërkojnë nga shteti zgjidhje. Për ne inxhinierët, ka një porosi-postulat:-Objekti që ndërtoni, duhet të jetojë minimalisht sa jetoni vetë… Kjo porosi e dhënë ditën e parë të universitetit, flet qartë – njerzit blejnë sipërfaqen e banimit, jo përgjegjësinë ndaj qëndrueshmërisë së veprës… Ajo mbetet përjetësisht “pronësi” e ndërtuesit… Kjo, e pamjaftueshme për qytetarët, duke parë nivelin e përgjegjësisë së ndërtuesve… Ata duan një garant noterial, për jetët e tyre, një organizëm shtetëror… Tërmeti i fundit bënë emergjente një memorandum me ndërtuesit, i kthyer në ligj pa “maliq”, nga shteti për zonat e rrezikshme tërmetore, për lartësinë e ndërtesave, për numrin tavan të kateve, për territoret me tabane, ku nuk lejohet ndërtimi… deri te përgjegjësia ligjore e heqja përjetë e licensave e ndërtuesve “vrasës”…
Pas viteve ’90 ndërtimi rend pas objekteve shumëkatshe me skelet b/a. Pozitive, por edhe përgjegjësi e shtuar, në respektimin e kushteve teknike të zbatimit (KTZ). Terma të “vjetëruara” nga babëzia… Shpesh këto bëhen me cilësi të dobët, edhe nga mënyra e “re” e ndërtimit me klering. Mënyrë që shton numrin e përfituesve, KCK, nga shtrydhja e cilësisë… Megjithatë ndërtimet shumkatëshe me skelet b/a e themele pllakë, kur janë të certefikuara, janë më rezistente ndaj tërmeteve, pavarësisht lëkundjeve të mëdha. “Elementët” më problematik në ndërtimet shumëkatshe janë mardhënjet mes strukturës b/a dhe mureve plotësues. Në të dy këto struktura nuk realizohet lidhje e qëndrueshme, që objekti të “punojë” në unison, gjatë lëkundjeve sizmike apo uljeve të lejuara të tabanit, duke krijuar plasaritje në mure. Në fakt janë lëvizje seicila për hesap të vet, sepse kundërveprimi ndryshon në varësi të tipit të konstruksioneve… Tërmetet riciklohen sipas një “grafiku” relativisht të saktë. Kaq, por e rëndësishme është të mos harrohet historiku, sepse ai është baza që na mbanë në gatishmëri ndaj kapriciove e pabesive të tij. Të gjithë drejtuesit e Durrësit e njohin atë, e megjithatë kanë lejuar këtë katrahurë ndërtimore kullash…, madje “hand shake tours”. Kam parë komplekse pallatesh që ndërtoheshin në vijën e parë të bregdetit, me “eksperiencën” e ndertimeve të vogla private, pa studim gjeologjik tabanor, nga amator…, por të “fuqishëm”… Për të vënë duart në kokë…. Në ndërtim duhet të udhëheq shkenca, jo fitimi.
Të gjitha dëmet nga tërmetet e fundit, vinë nga mos respektimi i KTZ… përjashtuar ato nga amortizimi e mosmirëmbajtja e objekteve… Çuditërisht, megjithëse ndërtimet shtohen me ritme të “frikshme”, mungon një organizëm shtetëror kontrollues, për respektimin e KTZ… Këtë kontroll, nuk e bëjnë as IKMT, INUV, apo policia bashkiake. Institucione me vizion të vjetëruar… edhe për “faj” të ligjit…, që insertojnë me policinë… Këtë kontroll, nuk e bëjnë as organizma apo inspektoriate, si KLSH, me veprimtari globale kontrolli, aktive vetëm pas përfundimit të investimit, shpesh jo profesionale, por edhe pa mision ligjor në parandalimin e abuzimeve në cilësi…
Akoma më pak emergjencat civile e zjarrfiksat, që nuk parashikojnë në organikën e tyre strukturues ndërtimi me eksperiencë… apo Instituti i arkivave të ndërtimit… Kjo nuk është situatë për të heshtur. Unë nuk mund të hesht. Edhe për ne inxhinierët aplikohet, ndonëse i panënshkruar, ligji Hipokratit… Iindifferencë e dënueshme, kur jo rrallë, sheh vepra të përfunduara në gjendje të mjerueshme, pa kujdes permanent, e të tjera që ndërtohen me kontroll joprofesional…, kur sheh vepra arti të ndërtuara para viteve 90, megjithëse të abandonuara, me tabane të gërryera dhe teknikisht nuk përballojnë dot fluksin e sotëm, janë në shfrytëzim çdo ditë… , kur sheh konstruksionin mbajtës të pallateve te shallvareve, e jovetëm, me plasje të thella, nga ndërhyrjet jo profesionale…
Një “gropë” e zezë hapur, për një mundësi punësimi… Aq më pak mund të jesh indiferent, ndaj rrëshqitjeve të përsëritura të masiveve shkëmbore në autostradën e Elbasanit, fatmirësisht pa tragjedi njerëzore…, por me “tragjedi” miliona eurosh për ekonominë kombëtare. Shembull i keq, e përgjegjësi e munguar gjatë zbatimit të punimeve edhe vlersime joprofesionale gjeologo-inxhinierike… e patjetër mungesë profesionale supervizioni. Natyrisht edhe ndaj Gjirokastrës së “Uneskos”, që ka marrë tatëpjetën, nuk mund të jesh indiferent… Për të mos patur 26 nëntor tjetër…, gjykoj se është koha e riorganizimit në “high standart”, e mënyrës së kontrollit të zbatimit të projekteve…, në fakt, administrimit permanent të objekteve ndërtimore, në nivel Task-Force…
Gjatë këtyre viteve në vëndin tonë, është investuar shumë në ndërtime të të gjitha “zhanreve, por shpesh cilësia e dobët e punimeve, e ka bërë të pamundur t’i shijojmë. Kjo, për shkak të një kontrolli të diktuar, nga supervizor pa identitet profesional, “kamikaz” të fondeve publike, që për hir të një vazhdimësie “page”, injorojnë misionin e tyre, parandalimin e të papriturave nga ndërtimi… Megjithatë në vëndin tonë ekzistojnë kompani serioze ndërtimi, që kanë përformuar sukseshëm në tregun vëndas dhe në atë ndërkombëtar… Ajo çka nuk aprovoj te kompanitë ndërtuese është, se monopoli në treg, u ka dhënë pushtet edhe mbi supervizionin, madje shpesh për të shmangur “bezdisjen” e realizojnë vetë… Kulmi… Supervizioni është opozicion i detyrueshëm, pa të cilin nuk mund të filloj investimi publik. Ai duhet të udhëhiqet nga inxhinierët më të aftë, me integritet profesional e moral, e detyrueshme të kenë kapërcyer cdo hallkë të karrierës… Jemi nga të paktat vënde, ndoshta i vetmi, ku përzgjedhja politike, eksperiencën e emërton vjetërsi, kur në fakt është pasuri, që kursen vlera të mëdha, jo vetëm monetare… Jo vetëm garancia e veprave ndërtimore, prapa së cilës qëndrojnë mijëra jetë njerzish, por edhe përqindja e lartë që zë ndërtimi në ekonominë e vëndit e në qarkullimin e parave, e tashmë edhe projekti “crazy” një miliard dollarë, e bëjnë domosdoshmëri krijimin e një Task-Force, fuqiplotë në mbikqyrjen e ndërtimeve… Këtë Task-Forcë e mendoj një organizëm tërësisht profesional, mbikqyrës i vlerave e destinacionit të investimit… e mbi të gjitha, parandalues katastrofash… Ngritja e kësaj Task-Force, do sillte edhe ridizajnimin e inspektoriateve të shumta ekzistuese, me “pushtete” të mbivendosura, por me përgjegjësi jetime… e jo humane…
KOHA JONË SONDAZH

