Përcaktohen 6 qytetet e para, ja ku do të veprojë njësia speciale kundër “KÇK”
Njësia speciale “Operacioni Forca e Ligjit” ka përcaktuar 6 qytetet, prej nga do të nisë zbatimi i paketës Anti KÇK dhe goditjet e para të grupeve kriminale. Tirana, Vlora, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Fieri dhe Korça janë qytetet ku Njësia Speciale Operacioni Forca e Ligjit do të ndëhyjë menjëherë.
Nga kjo njësi bëhet e ditur se përgjatë periudhës përgatitore janë identifikuar mbi 60 pasuri të shtrira në këto qytete që arrijnë vlera nga 200 mijë euro e deri në 10-15 milion euro me prejardhje nga aktivitetet kriminale, të drogës, prostitucionit dhe evazionit fiskal.
Njësia nën vartësinë e Policisë së Shtetit, e cila do të jetë aktive në terren deri më 31 dhjetor të këtij viti fokus të saj do të ketë ndjekjen e parasë për të arritur tek bosët reale që fshihen pas tyre por në terren kanë pronar fiktiv.
Shumica e këtyre pasurive sqaruan burimet i përkasin adoleshentëve, të cilët s’kanë punuar asnjë ditë në jetën e tyre apo personave 70-75 vjeç të cilët të ardhur kanë vetëm pensionin, por rezultojnë milionerë duke mos justifikuar shpenzimet e kryera në këto investime.
Këto kompani të verifikuara më herët shtrihen në fushën e ndërtimit, shërbimeve, hidrosanitareve, hoteleri turizëm dhe linjat e transportit të udhëtarëve treguan disa prej agjentëve të OFL.
Çdo personi të cilit do t’i vendoset sekuestro preventive afati i lënë nga shteti për të justifikuar me fatura, transaksione burimin e ligjshëm të pasurisë do të jetë 30 ditë në të kundërt ajo më pas me miratimin e gjykatës do të kaloj për llogari të shtetit me konfiskim.
Ndërsa ata zyrtarë lokalë përfshi hipotekat, tatimet, zyrën e pastrimit të parave që do të refuzojnë të zbatojnë vendimet e marra në kuadër të operacionit për gjurmimin e parave do të ndiqen penalisht dhe do të merren masa administrative deri në shkarkim nga detyra, sakson akti normativ tashmë në fuqi.
Pjesë e kësaj njësie speciale do të jenë nga trupat më të mirë speciale që ka policia e shtetit deri tek ekspertët e krimeve kompjuterike, ekonomike dhe ata të përdorimit të teknologjive të avancuara të komunikimit, vëzhgimit dhe ndjekjes në terren, ndërsa selia e tyre është pranë repartit RENEA.