Përcaktohen kufijtë hidrografikë dhe shtatë rajonet e baseneve lumore në Shqipëri
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e kufijve hidrografikë dhe territorialë të baseneve lumore dhe të trupave të tjerë ujore sipërfaqësore, ujërave nëntokësore dhe ujërave bregdetare, si dhe për krijimin e Këshillave të Baseneve Lumore (KBL) për menaxhimin e tyre.
Sipas vendimit, në territorin e Shqipërisë ngrihen shtatë rajone të baseneve lumore: Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Për çdo rajon, KBL-ja do të ketë qendër në qytetin kryesor të basenit dhe do të drejtohet nga prefekti i qarkut përkatës.
Këshillat përbëhen nga drejtues të institucioneve lokale, përfaqësues të grupeve të interesit dhe autoritete të menaxhimit të burimeve ujore. Numri i anëtarëve varion nga 15 deri në 31 për çdo këshill, sipas madhësisë dhe kompleksitetit të basenit.
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) do të publikojë informacionin mbi autoritetet kompetente, mbulimin gjeografik, përgjegjësitë dhe marrëdhëniet institucionale të këtyre këshillave, duke e bërë të disponueshëm për publikun brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi të vendimit. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe shfuqizon VKM-në nr. 696, datë 30.10.2019, mbi kufijtë e baseneve ujore në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

