Përdorimi i dhunës dhe agjentëve kimikë, Tedi Blushi kërkesë Ministrit të Brendshëm dhe kreut të Policisë

Pas tensioneve në protestën para Kuvendit, kreu i grupit parlamentar i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i është drejtuar ministrit të Brendshëm, Besford Lamallari, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke kërkuar shpjegime për mënyrën se si u menaxhua protesta. Blushi kërkon të dijë kush dha urdhrin për përdorimin e forcës dhe të gazit lotsjellës ndaj protestuesve, mbi çfarë vlerësimi u mor ky vendim dhe nëse janë respektuar procedurat ligjore.

“Nga sa është bërë publike deri në këtë moment, krijohet bindja se forca policore nuk është përdorur si mjeti i fundit, por si instrument represioni ndaj qytetarëve, në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit që kufizojnë ushtrimin e forcës nga organet ligjzbatuese në një shtet demokratik”,-thotë Blushi. Në kërkesën e tij, ai kërkon informacion edhe për planin operacional të policisë, numrin e efektivëve të angazhuar, sa qytetarë janë shoqëruar, ndaluar apo arrestuar, si edhe bilancin zyrtar të të lënduarve mes protestuesve dhe punonjësve të policisë.

“Ngjarjet e sotme nuk mund të relativizohen dhe as të mbulohen me heshtje institucionale. Përdorimi i forcës nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën kushtetuese të protestës kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi individuale dhe institucionale, si dhe një hetim të menjëhershëm e të paanshëm mbi çdo akt të mundshëm të tejkalimit të kompetencave apo përdorimit arbitrar të forcës”,-thuhet në shkresën e PL-së. Blushi kërkon gjithashtu të bëhet publik se çfarë agjentësh kimikë janë përdorur gjatë ndërhyrjes, në çfarë sasie, kush e autorizoi përdorimin e tyre dhe nëse protestuesit janë paralajmëruar përpara se të hidhej gazi.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?