Përforcohen masat në porte, nisin kontrollet e imtësishme

Duke marrë shkas nga sulmet terroriste në Bruksel, portet në Shqipëri kanë marrë masa ekstra sigurie.

Bëhet fjalë për portet e Durrësit, Shën Gjinit, Vlorës, Sarandës, “Romano Port” Durrës, “Petrolifera” Vlorë, të cilët kanë marrë masa të forta sigurie.

Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto ka urdhëruar “Autoritetin Shtetëror për Sigurinë”, për testimin e nivelit të sigurisë në portet e vendit, për të parë reagimin në kohë të  forcave të sigurisë dhe për të parandaluar ngjarje të tilla.

“Ndër masat që kanë filluar të aplikohen, janë shtimi i kontrolleve të hyrje daljeve të individëve të ndryshëm, kontrolle të imtësishme të mjeteve dhe të pasagjerëve. U bëjmë thirrje qytetarëve dhe operatorëve portuale privatë që të bashkëpunojnë me autoritetet. “AShSP”, po monitoron dhe kontrollon zbatimin e masave për administrimin specifik nga portet”, sqaron Ministria e Transporteve.

SHKARKO APP