Përfundon investimi i OSHEE në Librazhd, Balla: Linja është ndërtua që në 1967 dhe nuk është vënë më dorë

Një investim me vlerë 170 milionë lekë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në fiderat 3 dhe 6 të cilat furnizojnë qytetin e Librazhdit dhe disa fshatra, i ka dhënë fund problemeve përsa i përket furnizimit me energji në këtë zonë.

Linja ishte ndërtuar në vitin 1967 dhe që atëhere nuk ishte vënë dorë.

Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Administratori i Përgjithshëm i OSHEE Adrian Çela inspektuan përfundimin e punimeve në këtë linjë.

Në fjalën e Balla vuri në dukje se prej një viti e gjysëm në zonat malore të qarkut të Elbasanit po investohet për zëvendësimin e linjave të vjetra e të amortizuara, duke ndikuar në uljen e mundësive për defekte dhe në minimizimin e humbjeve në rrjet.

“Së bashku me Administratorin e Përgjithshëm të OSHEE sot jemi në disa zona të qarkut të Elbasanit për të monitoruar nga afër situatën e krijuar nga moti i keq, por edhe për të inspektuar këtë investim të rëndësishëm të kryer nga OSHEE.
Janë disa investime të kryera nga OSHEE të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike sidomos në zonat malore ku moti i keq sjell edhe pasoja në këtë drejtim.
Përsa i përket kësaj linje, ajo është e ndërtuar në vitin 1967 dhe që atëherë nuk është vënë dorë.
Prej më shumë se një viti ne kemi investuar për të zëvendësuar linjat e vjetra dhe për të garantuar furnizim pa ndërprerje” theksoi Balla.

Ndërsa Çela në fjalën e tij tha se investimi përfshin rikonstruksionin e dy fiderave 3 dhe 6 që furnizojnë qytetin e Librazhdit dhe zonat përreth tij.

“Që kur ka nisur reforma, OSHEE ka investuar në Librazhd rreth 400 milionë lekë të reja.
Investimi i fundit të cilin po inspektojmë sot kap vlerën rreth 170 milionë lekë të reja. Ky investim përfshin rikonstruksionin e dy fiderave 3 dhe 6 që furnizojnë qytetin e Librazhdit, zonat përreth si dhe fshatrat Stëblevë, Lunik, Qarrishtë etj” tha Çela.

Balla dhe Çela ishin gjithashtu edhe në disa zona të Librazhdit e Prrenjasit të cilat për shkak të kushteve të motit kanë pasur probleme në furnizimin me energji elektrike në 24 orëshin e fundit.

“Përsa i përket motit të keq janë ngritur grupet e punës në të gjithë territorin e vendit. Janë rreth 1500 punonjës në terren të cilët po punojnë për riparimin e defekteve. Koha e rekuperimit ndikohet edhe nga kushtet atmosferike.
Ne do të vazhdojmë të jemi në gatishmëri, nuk mund të sigurojmë që s’do të ketë defekte, por sigurojmë që do të punohet për riparimin sa më shpejt të tyre” tha Administratori i OSHEE Çela.

Janë rreth 400 milionë lekë të reja të investuara nga OSHEE në zonën e Librazhdit vitet e fundit, për shkak të terrenit shumë të vështirë me zona malore të cilat gjatë dimrit përballen me probleme në furnizimin me energji elektrike. Në këto zona nuk ishte investuar prej më shumë se 50 vitesh.

SHKARKO APP