Përfundon konkursi për drejtuesit vendorë në polici
Në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, u zhvillua konkursi për katër qarqet vakante në Policinë e Shtetit: Durrësin, Lezhën, Fierin dhe Kukësin. Pas përfundimit të testimit, pritet që komisioni të bëjë vlerësimin me pikë të secilit kandidat, nga të cilët katër nga lista fituese do të përzgjidhen nga Drejtori i Përgjithshëm për t’u emëruar në qarqet e Fierit, Durrësit, Lezhës dhe Kukësit. Vende vakante ka edhe në Policinë e Tiranës dhe të Vlorës, për të cilat pritet të hapet gara. Drejtuesit për këto dy qarqe pritet të zgjidhen nga lista fituese e konkursit të zhvilluar këtë të martë.
Emrat më potencialë për të marrë drejtimin e Policisë së Tiranës janë Ermal Muça, si edhe drejtori i komanduar në Durrës, Ervin Hodaj, i cili konsiderohet kandidat potencial edhe për drejtimin e Policisë së Durrësit. Po ashtu, me ndryshimet që pritet të bëhen në ligjin për Policinë e Shtetit, edhe drejtori i komanduar i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, mund të jetë kandidat potencial për këtë qark.
Për qarkun e Lezhës, kandidatët më të favorizuar janë Ndue Ndoçi dhe drejtori aktual i komanduar, Arben Nasufi. Në Fier pritet rikonfirmimi i Erion Ahmetit, ndërsa për qarkun e Kukësit favoritë konsiderohen disa emra, si Artion Duka, Alket Shatro dhe Gjovalin Loka. Pas komandimit të Ervin Ndreut si drejtor i Policisë së Vlorës, në detyrën e drejtorit të Kufirit në Tiranë është komanduar Ermal Haxhi. Ndërsa Ndreu pritet të marrë emërimin e plotë në Vlorë pas konkursit.
KOHA JONË SONDAZH

