Përfundon mandatin si President i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Jaço: Përmirësimi i klimës së biznesit, kyç për Integrimin

Enio Jaço në përfundim të mandatit të tij si President i Dhomës Amerikane të Tregtisë, në fjalimin e tij të fundit ka bërë thirrje për progres të prekshëm në përmirësimin e Klimës së Investimeve. Jaço foli gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të AmCham në praninë e 256 kompanive anëtare ku deklaroi se, duhet ende shumë punë që Shqipëria të bëhet ‘magneti i Ballkanit’ për investitorët e huaj.

“Fakt është se bizneset në Shqipëri vijojnë të operojnë në labirinthe burokratike dhe praktika të vjetëruara. Dhe në një kohë kur progresi drejt integrimit duhet të jetë i shpejtë – Shqipëria nuk e ka luksin të ecë me “baby steps” – i duhet të bëjë hapa të mëdha në një kohë të shkurtër. Por reforma mund të arrihet vetëm me një bashkëpunim real mes sektorit privat dhe administratës publike”, theksoi ai.

Enio Jaço drejtoi Dhomën Amerikane për dy mandate duke spikatur me qendrimet e forta publike në mbështetje të bizneseve dhe përmirësimit të klimës së investimeve duke qenë kritik ndaj korrupsionit, pastrimit të parave, dhe praktikave të padrejta të të bërit të biznesit.

Jaço u shpreh optimist për trajektoren e AmCham dhe rrugën e Shqipërisë drejt BE. “Unë do të vazhdoj të bashkëpunoj me përkushtim për të ndihmuar në zhvillimin dhe rritjen e komunitetit te bizneseve. Besoj se ne kemi një të ardhme të ndritur përpara nesh, dhe jam i gatshëm të kontribuoj në mënyrë të vazhdueshme”.

SHKARKO APP