Përfundon numërimi i votave, PS fiton 5 bashkitë, PD asnjë
Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet e pjesshme në 5 bashkitë: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë. PD nuk ka fituar asnjë bashki.
Vlorë
Vlora ishte bashkia e parë që e nxori rezultatin. Kjo bashki pati pjesëmarrjen më të ulët me 12,5% të zgjedhësve. Drejtuesja e Bashkisë së Vlorës do të jetë ish-deputetja Brunilda Mersini, e cila nën logon e PS arriti të marrë një fitore të thellë me 78% ose 15 672 vota.
Kandidati i pavarur i mbështetur nga PD dhe aleatët, Dionis Sota mori 2333 vota ose 11.68%.
Cërrik
Edhe në Bashkinë e Cërrikut ku PS ka fituar fitoren me 66.22%. Kandidati Florenc Doka ka marrë 6201 vota, një diferencë prej 4313 votash nga kandidati i pavarur i cili u mbështet nga PD, Amarildo Hoxha. Ky i fundit ka marrë 1888 vota, një diferencë tejet e ngushtë prej 613 votash me kandidatin Eligert Hima të Shqipëria Bëhet, i cili mori 1275 vota.
Berat
Bashkia e Beratit ka përfunduar procesin e numërimit të votave, pas zgjedhjeve të mbajtura një ditë më parë. Kandidati i Partisë Socialiste, Ervin Ceca, është shpallur fitues me mbi 83% të votave, duke lënë pas rivalin e tij, kandidatin e pavarur, Pavlo Shkarpa.
Tepelenë
E njëjta situatë paraqitet edhe në Tepelenë, e cila në total kishte 21 qendra votimi dhe në këtë bashki për herë të parë u testua edhe numërimi i votave me Inteligjencë Artificiale, krahas numërimit manual. PS me ish-ushtarakun Gramos Sako kanë fituar me 77.85% ose 3261 vota. Ndërkohë, kandidati i mbështetur nga PD, 26-vjecari Gabriel Guma ka siguruar vetëm 928 vota.
Mat
E vetmja bashki në veri të vendit që shkoi në zgjedhje të pjesshme, Mati, u fitua sërish nga socialistët. Me Altin Bojnin i cili ka fituar me 7425 vota ose 66.54%. Rivali i tij, kandidati i pavarur i mbështetur nga PD, Eduart Brahilika ka marrë 3184 vota ose 28.54%. Ndërkohë, kandidatja e pavarur, Suzana Pasha, ka marrë vetëm 549 vota ose 4.92%.
KOHA JONË SONDAZH

