Përfundon rikonstruksioni i konviktit “Ymer Tola” standarde moderne për jetesë dhe studim
Një investim tërësisht i përfunduar ka transformuar konviktin “Ymer Tola” në Elbasan, duke krijuar kushte moderne jetese dhe studimi për nxënësit e shkollave të mesme, veçanërisht për ata të arsimit profesional dhe për të rinjtë që vijnë nga zonat e thella rurale.
Objekti është rikonstruktuar nga themelet dhe tashmë përfshin 26 dhoma me një kapacitet prej 100 shtretërish. Çdo dhomë është e kompletuar me krevate, dollapë, rafte librash, tavolina studimi, karrige dhe kondicioner, duke ofruar ambiente komode për jetesë dhe përgatitje mësimore. Janë ndërtuar tualete sipas standardeve, një sallë e re studimi dhe një kuzhinë me pajisje bashkëkohore, ndërsa dyert, dritaret dhe veshjet e brendshme janë zëvendësuar plotësisht.
Rikonstruksioni ka përfshirë gjithashtu rrjetin e plotë elektrik dhe hidraulik, instalimin e një gjeneratori për furnizim të pandërprerë me energji, si dhe ndërtimin e shkallës së emergjencës sipas standardeve të sigurisë.
Përfundimi i këtij investimi është ndjekur nga afër nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili vizitoi ambientet e reja dhe u njoh me kushtet që tashmë u ofrohen nxënësve.
“Ky konvikt tashmë ka një kapacitet prej rreth 100 shtretërish dhe i vjen në shërbim të të gjithë nxënësve të shkollave të mesme, veçanërisht atyre të arsimit profesional,” u shpreh Llatja gjatë vizitës.
Ai theksoi se investimi është realizuar me standarde të krahasueshme me ato të Bashkimit Europian.
“Çdo dhomë mund të akomodojë dy ose tre fëmijë në kushte shumë të mira. Kemi krijuar dhoma leximi, një kuzhinë komode dhe ambiente funksionale për të gjithë nxënësit që studiojnë si në arsimin profesional, ashtu edhe në gjimnazet e qytetit,” tha kryebashkiaku.
Sipas tij, rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe shërbimeve mbështetëse.
“Konvikti ka një qasje shumë pozitive edhe sa i përket kujdestarisë dhe shërbimit infermieror, për të garantuar shendet dhe mirëqenie për çdo nxënës që jeton këtu,” shtoi Llatja.
Për shumë familje nga zonat e largëta rurale, ky konvikt përfaqëson një mbështetje të rëndësishme për vijimin e arsimit të mesëm në kushte dinjitoze. Ndërsa për vetë nxënësit, “Ymer Tola” tashmë nuk është vetëm një vend akomodimi, por një hapësirë moderne që i ndihmon të përqendrohen te studimi dhe e ardhmja e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

