Përgjaken rrugët, rritje e frikshme e aksidenteve në Janar
Aksidenti në Velipojë që i mori jetën 4 persona të së njëjtën familje, është një tregues i frikshëm sesi njerëzit po humbasin jetën. Insatat ka publikuar edhe raportin sa i takon aksidenteve rrugore, aty ku ka rritje të aksidenteve.
Sipas të dhënave, në muajin Janar 2018 numërohen 134 aksidente rrugore, nga 119 aksidente të ndodhur në Janar 2017, duke u rritur me 12,6 %.
Në Janar 2018, numri i të aksidentuarve është 175 persona, nga 158 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 10,8 %. Krahasuar me numrin mesatar të aksidentuarve gjatë vitit 2017, ky numër është ulur me 19,6 %.
Numri i personave të plagosur gjatë muajit Janar 2018 është 162, nga 136 të plagosur në muajin Janar 2017. Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2017, ky numër është ulur me 18,6 %. Në muajin Janar 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet është 13 persona, nga 22 që ishte një vit më parë për të njëjtën periudhë, duke u ulur me 40,9 %.
Në Janar 2018, aksidentet rrugore, në 74,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 45-60 vjeç, duke zënë 24,6 % të numrit të aksidenteve rrugore, duke u rritur me 50,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
KOHA JONË SONDAZH

