Përgjigje e detyruar për gazetën “Albania”. Nikoll Lesi: Nuk jam as njeri i Nanos, as i Berishës
(Botuar me 30 Dhjetor 1995 në KOHA JONE)
Nga Nikoll LESI-
Pardje dhe dje gazeta “Albania”e drejtuar nga i kudondodhuri Ylli Rakipi, botoi me tituj të mëdhenj, të pazakontë për këtë gazetë të re. “Porosi sekrete të Nanos për Nikoll Lesin”. Paralajmërimi që ju bë këtij shkrimi një ditë përpara të bën të kuptosh se segmente të caktuara nga vetë shteti ishin të interesuar që drejtori i gazetës “Koha Jonë”të goditej në këtë fundvit si njeri i Fatos Nanos dhe se bisedat e ofertat që po i bëjnë zyrtarë të lartë të PD dhe të Presidencës për ndryshim kursi të gazetës, janë krejt të kota, pasi “Nikoll Lesi e ka sajdisur me Nanon”. Natyrisht që e kuptoj se dicka duhet sqaruar në këtë pikë pasi në qarqe të caktuara, edhe për interesa të tyre, po qarkullon ideja se drejtuesi i “Koha Jonë”po luan me të dyja palët, por gjithsesi po anon nga Berisha. E vërteta është se ofertat janë të pranishme cdo ditë, në forma të ndryshme. Duhet pranuar, pa përmendur emra (thjesht për etikë) se përfaqësues kryesor të PD dhe PS po i shpeshtojnë vizitat në zyrat tona. Autoriteti gjithnjë në rritje i “Koha Jonë”e i stafit të saj botues ka bërë që secila të kërkojë ta bëjë për vete. Porse secila harron se “Koha Jonë”është rritur në fillim si oponente e fortë e PS dhe u burrërua duke fshikulluar të metat e qeverisjes së PD. Pra “Koha Jonë”s’ka qenë as me njërën e as me tjetrën. Gazeta, do të jetë vetëm burim informacioni dhe komenti të paanshëm. Natyrisht ne nuk përjashtojmë edhe gabimet, të cilat mund t’i kemi bërë nga mungesa e eksperiencës së duhur në fushën e gazetarisë, porse të paktën kemi qenë të sinqertë me vetveten dhe me lexuesin tonë. Këto gjëra i sqarova për të ardhur tek diversioni aspak gazetaresk ( por i servisur nga SHIK) dhe aspak miqësor i gazetës “Albania”, e cila tashmë dihet botërisht se kujt i shërben dhe ku i merr informacionet sekrete. Asgjë nuk është e vërtetë në ato që u shkruan dje. Një e vërtetë mbetet se unë, si gjithë njerëzit që njohin ngushëllimin në raste vdekjesh shkova me kolegët dhe ngushëllova Fatos Nanon për nënën që i vdiq. Besoj se shumë nga njerëzit që ishin mbledhur (mes tyre edhe të SHIK-ut) e panë se Fatos Nano as që më njohu si pamje, pasi as që ishim takuar ndonjëherë bashkë. Një nga nënkryetarët e PS, Namik Dokle më prezantoi me Nanon. Pas kësaj F.Nanon e ngushëllova në një nga dhomat e shtëpisë. Duhet pranuar se në dhomë mbetëm vetëm unë dhe Nano. Kështu që biseda e botuar dje nga “Albania”mbetet që të jetë përgjuar nga SHIK-u, cka përbën një skandal të jashtëligjshëm. Një skandal i tillë i cili ka ndodhur në SHBA në kohën e Niksonit, coi në dorëheqjen e Presidentit. Pra përgjimi i liderit të opozitës, aq më keq në një rast fatkeqësie familjare, përbën një imoralitet politik dhe një shkelje e të drejtave të njeriut. Në artikull ka shumë gjëra që nuk janë të vërteta. Nuk është biseduar aspak për “të pestët”, nuk janë përfolur Neshat Tozaj apo Frrok Cupi, nuk më është kërkuar asgjë, pasi s’kam premtuar asgjë! Kam biseduar me Nanon ato gjëra që mund të bisedoja edhe me Berishën në një rast fatkeqësie!