Përhapja e virusit/Pse shqiptarët kanë turp të rrëfejnë se kanë qenë në Itali?

Një mjek i spitalit të Durrësit listohet sot për statistikë, bluza e parë e bardhë që preket nga koronavirusi në Shqipëri. Arsyeja është sa patetike, aq edhe për të vënë duart në kokë. Viktima fatkeqe, 73-vjeçare nuk iu tregoi për 5 ditë rresht se kishte patur një histori udhëtimi në Itali ku kishte shkuar të takonte të birin. Mjeku, për fat të mirë, ndodhet në gjendje shumë të mirë shëndetësore, por nuk e dimë, nëse këtë do të arrijmë ta shkruajmë për çdo rast që do të rezultojë pozitiv nga COVID-19.

Situata përsëritet edhe më e rëndë në Berat, ku stafi mjekësor i Spitalit Rajonal Berat është vetëkarantinuar mesditën e sotme. Shkak është bërë një paciente astmatike, e cila kur është ekzaminuar nuk ka patur shenja klinike të astmës. Pacientja i ka referuar stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Berat se, kishte prej disa ditësh kollë dhe dhimbje fyti por i ka gënjyer ata për ardhjen e saj nga Italia 1-javë më parë.

Kur stafi mjekësor e ka pyetur nëse ka udhëtuar jashtë shtetit së afërmi ose nëse ka pasur kontakte me persona që kanë jetuar në Itali, pacientja u është përgjigjur “Jo”. Por pasi kanë dalë jashtë banesës, stafit mjekësor i është referuar nga fqinjët se gruaja kishte ardhur nga Italia një javë më parë; fakt që është konfirmuar edhe nga pacientja pas rikthimit të menjëhershëm të stafit sërish në banesë.

Pse shqiptarët fshehin informacion që mund të rezultojë fatal?

Së pari, vihet re një ndjesi turpi nga pacientët nëse ata ekzaminohen me COVID-19. Ndoshta, specialistët e shëndetit, përveç këshillave për të qëndruar brenda, duhet të shtojnë edhe deklarimin e saktë të të dhënave si një faktor të rëndësishëm! Disa ditë më parë, Dosja.al raportoi rastin e një çifti të dyshuar në Ersekë, të cilëve iu bënë analizat. Edhe pse pa emër, familjarë të tyre, telefonuan në redaksi me një shqetësim më të madh se vetë sëmundja! “E ka marrë vesh gjithë fshati sikur prindërit e mi janë me koronavirus, s’na flet njeri me gojë”, denonconte i shqetësuar telefonuesi.

Së dyti, ruajtja e anonimitetit të të prekurve saç po ndihmon mediat për ruajtjen e etikës, aq po favorizon edhe më shumë të prekurit, apo të dyshuarit për të qenë të papërgjegjshëm, në takimet e tyre.

Rasti i 66-vjeçarit në Fier, apo edhe i 28-vjeçarit në Tiranë, të dy të prekur nga COVID-19, njëherazi edhe personazhe të njohur për zonat e tyre të vogla të influencës, treguan edhe njëherë se anonimiteti dështoi?! Jo më larg se sot pasdite, vetë bashkia Fier publikoi emrin e pacientit të prekur, për t’i shpëtuar jetën shoferit, dyqanit të ushqimores ku ai ka shkuar, teksa autoritetet janë në kërkim të vajzës!

E bija e çiftit të prekur nuk dihet se ku ndodhet, ndërkohë që iu ka shërbyer prindërve të prekur nga COVID-19, e tanimë lëviz lirshëm, megjithëse mund të jetë e prekur nga virusi. Mos do të duhet vallë që personat që i kanë takuar këta persona, duke i identifikuar të marrin masat?

Fjala bie, aktori Tom Hanks, vetëdeklaroi se ishte prekur nga Covid-19, duke shpëtuar kështu shumë miq të tij dhe njerëz me të cilët mund të ketë qendruar. Kjo jo vetëm që nuk dëmtoi imazhin e tij, por përkundrazi, ndihmoi shumë të tjerë që u informuan se kush ishte prekur dhe ku janë takuar me të.

Së treti qytetarët tanë, të gjithë duhet të kuptojnë se ajo që ka rëndësi nuk është vetëm jeta e tyre por edhe e të tjerëve. Në këtë rast, mjekëve, miqve, dashamirësëve dhe shumë të tjerëve që kanë bërë padijeni, takimin e gabuar. /Dosja.al/

SHKARKO APP