Përjashtimi i 19 deputetëve, Gjekmarkaj: PS s’ka tagrin për të na edukuar, po na provokon

Deputeti i PD-së dhe nënkryetar i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj komenton vendimin e sekretariatit të Etikës për të përjashtuar nga punimet e Kuvendit 19 deputetë të opozitës, për incidentet në seancë dhe komisione. Për të mazhoranca është duke e provokuar opozitën, teksa ka mbyllur dhe shkelur të gjitha të drejtat e saj kushtetuese.

“Opozita po pezullohet në këtë vend, po provokohet, po i shpallet luftë nga të gjitha anët. Nuk e kuptoj përse u përjashtuan 19 deputetë sikur ne jemi një thertore, ku vriten bagëtitë. PS nuk është mësuesi, edukatori, apo që ka tagrin për të edukuar. Është rregullorja që garanton barazi. Ata kanë marrë dhe të drejtën tonë. Përjashtimi është një provokim.

E do opozitën jashtë parlamentit. Ne kemi qenë të shtrënguar të reagojmë pasi jemi provokuar. Është ndërhyrë në punët e brendshme të partisë. Është mbyllur dera për komisionet parlamentare. E çfarë i mbetet opozitës, të pijë kafe në Kuvend? Ne jemi detyruar të reagojmë pasi nuk kemi rrugë tjetër”, tha Gjekmarkaj në A2 CNN.

SHKARKO APP