Përkujtohen dëshmorët e Policisë së Shtetit, Bledi Çuçi: Me ligj të posaçëm kemi garantuar mbështetjen për fëmijët dhe familjet e tyre
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nderoi sot dëshmorët e Policisë së Shtetit me rastin e 5 majit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Akademinë e Sigurisë u inagurua edhe memoriali për të rënët në krye të detyrës. Gjatë fjalës së tij ministri vlerësoi sakrificën dhe shembullin e fortë të rezistencës së atyre që humbën jetën në përpjekje për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
“Vetëm fizikisht nuk janë mes nesh, por për aq shumë sa kanë dhënë e kanë bërë për të mbrojtur ligjin e garantuar sigurinë publike edhe me jetën e tyre, ata kanë për të qenë përherë në mendjet dhe zemrat e kolegëve dhe të familjeve që krenohen kaq shumë me kontributin e tyre të jashtëzakonshëm”, tha ministri Çuçi,
Më tej ai foli për ligjin e posacëm të miratuar në fund të vitit të shkuar për statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, nga i cili përfitojnë edhe fëmijët dhe familjet e dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
“Ky ligj siguron vijimësisht mbështetjen e domosdoshme morale dhe financiare për fëmijët e atyre që kanë sakrifikuar edhe jetën në detyra shtetërore. Barra është e jona që fëmijët e dëshmorëve të Policisë së Shtetit të mos ndihen asnjëherë vetëm dhe kujdestarët e tyre, nënat në të shumtën e rasteve, të kenë gjithmonë pranë dorën e shtrirë të shtetit dhe solidaritetin tonë si shoqëri. Njësoj siç ndihen krenarë për prindërit e tyre që kanë kontribuar dhe sakrifikuar jetën në shërbim të shtetit e Atdheut, fëmijët e dëshmorëve të Policisë së Shtetit meritojnë gjithashtu të ndihen të sigurt për t’u rritur e shkolluar”, tha ministri Çuçi.