Përleshja në burgun e Fierit, dy të dënuar transferohen dhe 6 policë nën hetim
Pas incidentit të ndodhur në burgun e Fierit, ku mbetën të dëmtuar dy të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë masa për transferimin e dy personave të përfshirë në përleshje.
Sipas burimeve të cituara nga gazetarja Anila Hoxha, Aldo Gjini është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ndërsa Jurgen Zotaj, pas trajtimit në Spitalin e Fierit, është dërguar në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë. Ndërkohë, Denis Brajovic, i njohur edhe si Bajri, ka mbetur në burgun e Fierit.
Paralelisht, Policia e Fierit dhe Prokuroria kanë vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të përleshjes, e cila përfundoi me plagosjen e Brajovic dhe Zotajt.
Në kuadër të hetimit janë marrë në pyetje gjashtë punonjës të shërbimit të burgut, të cilët ndodheshin në detyrë në momentin e incidentit. Sipas burimeve, ndaj katër prej tyre pritet të merren masa pezullimi gjatë ditëve në vijim, pasi dyshohet se kanë neglizhuar procedurat e sigurisë.
Nga verifikimi i pamjeve të kamerave, mësohet se Jurgen Zotaj dhe Aldo Gjini kanë lëvizur nga sektori i tyre drejt sektorit ku ndodhej Brajovic. Ky i fundit dyshohet se i kishte pranuar për një takim, pasi ata njiheshin më herët.
Pamjet tregojnë se të tre të dënuarit janë takuar dhe më pas janë zhvendosur në një ambient ku nuk kishte kamera sigurie. Pak minuta më vonë, situata ka degjeneruar në përleshje.
Sipas dëshmisë së Brajovic, ai është sulmuar me një send të improvizuar si armë e ftohtë, të cilin më pas ia ka marrë njërit prej të dënuarve dhe e ka përdorur për t’u mbrojtur.
Hetuesit po verifikojnë të gjitha dëshmitë dhe provat për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një konflikt të çastit apo nëse përleshja ka qenë e organizuar paraprakisht.
KOHA JONË SONDAZH

