Përmbytje në Francë dhe Gjermani, 5 të vdekur
Moti i keq që ka përfshirë një pjesë të Europës ka shkaktuar pesë viktima dhe disa të zhdukur në Francë dhe Gjermani. Parashikimet flasin për ditë të tjera me mot të keq gjatë kësaj jave.
Në Francë, trupi i një gruaje 86-vjeçare u gjet në shtëpinë e mbushur me ujë, në periferi të Parisit. Alarm ka shkaktuar edhe rritja e nivelit të Senës, e cila ka arritur pothuajse 5 metra.
Shumë prej stacioneve të metrove janë mbyllur, ndërsa të paktën 500 persona kanë mbetur të pastrehë. Janë të paktën 24 mijë banesa pa energji. Në këto kushte, pritet që qeveria franceze të shpallë gjendjen e katastrofës atyrore.
Luvri mund të mbyllet
Muzetë pariziene janë në alarm për shkak të kërcënimit të Senës. Nuk përjashtohet mundësia që muzeu i Luvrit të mbyllet, si masë paraprake kundër përmbytjes. Në anën tjetër të lumit, muzeu i Orsay-t ka nisur të marrë masat për një situatë të tillë.
Viktima edhe në Gjermani
Tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e përmbytjeve në Simbach am Inn, qytet në Bavari, ndërsa shumë të tjerë janë të rrezikuar. Një grua është gjetur e vdekur në Julbach.
Gjendja është alarmante edhe në zonat e Rottal-Inn dhe Passau, në Bavarinë qendrore, në kufi me Austrinë. Reshjet kanë shkaktuar shembjen e rrugëve dhe banorët janë detyruar të ngjiten në çatitë e shtëpive për t’i shpëtuar vërshimit të ujit.
KOHA JONË SONDAZH

