Përmbytjet/Bashkia e Shkodrës kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore
Situata e rënduar e ditëve të fundit ka detyruar Bashkinë e Shkodrës të kërkojë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në anën e Malit, Dajç dhe Shkodër.
Bashkia bën me dije se situata është përkeqësuar duke rrezikuar seriozisht shtëpitë dhe jetën e banorëve në Shirq të Dajçit, rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të shkarkimeve dhe prurjeve në zonën e Nënshkodrës.
“Argjinatura mbrojtëse është çarë dhe uji vërshon me shpejtësi duke përmbytur shumë shpejt banesat, gjënë e gjallë, shkollën “Pjetër Gaci”, Qendrën Komunitare, Qendrën Shëndetësore. Kërkesa për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Anën e Malit, Dajç dhe në Shkodër duhet të shqyrtohet menjëherë. Mosmarrja e përgjegjësisë ligjore për trajtimin e emergjencës është e patolerueshne në rastin e rrezikut. Ky është detyrim përkundrejt njerëzve dhe pasurisë së tyre private e publike”, njofton Bashkia.