Përmbytjet në Shkodër, Ademi: Presim përkeqësim të situatës, gati katër objekte për evakuimin e banorëve

Ditët e para të këtij janari të 2021 sollën me vete dhe problemin e përmbytjeve në vend.

Orët në vijim pritet të jetë kritike, me reshjet intensive që kanë detyruar nisjen e shkarkimeve në Hidrocentrale.

Në zonat më problematike kanë nisur evakuimet, ndërsa ushtria ka dalë në ndihmë të banorëve të zonave të prekura në Shkodër e Lezhë.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, në një lidhje me skype për Rtv Ora bëri një pasqyrim të situatës në Shkodër, nisur dhe nga inspektimi i drejtëpërdrejtë në terren.

Ademi:  Situata është përkeqësuar natën e fundit dhe mëngjesin e ditës së sotme duke rezultuar në një rritje të nivelit të ujit rreth 50 cm në lumin Buna, 30 cm në liqenin e Shkodrës. Kemi situatë të përkeqësuar në disa njësi administrative. Aktualisht në njësinë administrative Ana e  Malit, në Obot rruga është e pakalueshme. Qytetarët kalojnë me mjetet e ushtrisë. Kemi prezencë të madhe të ujit në Shiqrq,  Dajç, Mushan. Duke u kthyer sërish te Ana e Malit kemi probleme në Muriqan dhe Oblik. Kemi probleme dhe me ujin e pijshëm sepse nuk mund të punojmë me pompat  për shkak të prezencës së ujit në Ujësjellës. Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër e ka furnizuar me ujë të pijshëm popullatën gjatë gjithë ditës së sotme. Kemi filluar të kemi probleme në zonën administrative Rrethina, ku në zonën bri liqenit ka një rritje të nivelit të ujit, duke u afruar në disa banesa. Ka probleme të shtuara për shkak të disa kanaleve që lidhen me kanalin e Shtodrit në Postribë, kemi ndërhyrë duke sistemuar kanalin kryesor kullues. Kemi probleme në Velipojë në lidhe me ujin, fermerëve u janë dëmtuar të mbjellat.

Ademi tha se banorët e zonave më problemematike janë njoftuar në kohë që të marrin masa për sigurimin e gjësë së gjallë.

Ademi: Kemi bërë lajmërimin e hershëm për emërgjencë civile, u kemi kërkuar të gjithë banorëve në njësitë Ana e Malit, Dajç, Bërdicë, Velipojë, Trush, Berdicë e Madhe, Rrethina, Guri i Zi, Shkodër që të marrin masa për sigurimin e gjësë së gjallë, prodhimet bujqësore. Verifikojmë se mund të kemi një situatë të përkeqësuar, sesa dhe si nuk e di.

Probleme ka edhe me furnizimin me energji elektrike.

Ademi: Kemi pasur probleme në Dajç. Jam infiormuar nga OSHEE që po punohet për mbajtjen e hidrovoreve në punë.

Ndërkohë shkarkimi i HEC-eve mund të përkeqësojë dhe më tej situatën. Këtë e konfirmon dhe vetë Ademi, duke deklaruar se mund të lindë nevoja për evakuimin e banorëve dhe për këtë ajo thotë se bashkia ka marrë masa për akomodimin.

Ademi: Jemi në një situatë të reshjeve pa pushim. Janë rritur prurjet në kaskadën e Drinit dhe në 24 orët e fundit ka dhe një rritje të prurjeve në liqenin e Shkodrës. Dua të kujtoj se shkarkimet kanë nisur dy javë përpara dhe kanë qenë të kontrolluara. Por në një situatë të shtuar të reshjeve në gjithë këtë kaskadë, në këtë basen mund të rritete rreziku shumë i madh për shkarkime apo për rrjedhje të përrenjve dhe lumenjve. Bëhet fjalë për zonat që janë afër lumit Buna. Kemi dyshime të forta bazuar në vlerësimin në territor se mund të kemi një situatë më të përkeqësuar në 2-3 ditët në vijim. Uroj të mos kemi një situatë të përkeqësuar të gjatë, kjo do të kërkonte evakuim. Jemi përgatitur. Kemi katër objekte me 200 shtretër të gatshëm. Kemi siguruar dhe ushqim dhe veshmbathje.Raportojmë çdo një orë pranë prefekturës. Kam komunikuar me drejtorin e KESH dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.

SHKARKO APP