Përpjekjet për liri dhe “problemet” e Zani Caushit
Sjellja problematike në qeli duket se do të krijojë pengesa të zorshme në rrugën drejt lirisë për të dënuarin përjetë Zani Caushi. Personazhi më i fundit i bujshëm që po orvatet për të lënë qelinë, ka më shumë se një nga episodet që mund t’i vënë në diskutim daljen nga burgu.
Të paktën gjatë tre viteve të fundit, Myrteza Caushi, është dënuar dy herë nga Gjykata e Korçës për futje të celularëve në qeli. Në vitin 2017, Zani është fajësuar për mbajtjen e një telefoni, që e kishte fshehur në murin e banjës së qelisë, në pjesën e pasme të tubit shkarkues.
Një vit më vonë, ai ka marrë një dënim me 1 vit e 6 muaj burg për telefonin që iu gjet mes batanijeve të krevatit gjatë një kontrolli në qeli. Neni ku bazohet lirimi me kusht për të dënuarit e përjetshëm për arsye të veçanta, ndër të tjera kërkon edhe sjellje shembullore në qeli.
Dy javë më parë, Caushi u tërhoq në seancë gjyqësore nga kërkesa e tij për lirim me kusht, me pretendimin se kishte pasaktësi në përllogaritjen e viteve të dënimit. Nga ana tjetër, Caushi ka ankimuar në gjykatë një masë disiplinore të marrë në qeli për shkak të një konflikti brenda mureve të burgut. /A2cnn/