Përplasen makinat, më pas kërcet pistoleta në Vlorë
Policia e Vlorës ka arrestuar 4 persona në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë natës në aksin rrugor Levan-Vlorë, ku gjatë një konflikti për përplasje të mjeteve mbeti aksidentalisht i plagosur më armë zjarri një shtetas. Mbrëmjen e kaluar, në Spitalin Rajonal Vlorë ka shkuar i plagosur me armë zjarri një 25-vjeçar, banues në fshatin Ferras. Pas hetimeve të policisë rezultoi se në aksin rrugor pranë mbikalimit të Levanit janë përplasur automjetet Volskëagen Golf, me drejtues shtetasin E. B., e pasagjerë shtetasit E. Y., dhe Xh. T., dhe Alfa Romeo, me drejtues shtetasin Miri Tefai, e pasagjerë shtetasit Sajdi Qarri dhe Engli Nake.
Këta të fundit, në tentativë për t’u larguar me mjetin e tyre nga vendi i ngjarjes në drejtim të Vlorës janë ndjekur nga 3 shtetasit e tjerë me Volskwagen Golf dhe ka nisur konflikti midis tyre në mbikalimin e Novoselës, pranë një karburanti, ku si pasojë, duke qenë edhe nën efektin e pijeve alkoolike, dyshohet se shtetasi Miri Tefai ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe aksidentalisht ka plagosur kunatin e tij Engli Nake, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor, në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjes bëri dokumentimin e plotë të saj, duke arrestuar në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja”, “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, shtetasit:
Miri Tefai, 41 vjeç, banues në Vlorë, Sajdi Qarri, 20 vjeç dhe Engli Nake, 25 vjeç, banues në Ferras.
Gjithashtu, Policia ka arrestuar në flagrancë për “Moskallëzim Krimi” shtetasin E. K., 27 vjeç, banues në Zharrës, Fier, punonjës (roje) pranë karburantit ku ndodhi përplasja. Materialet do t’i referohen Prokurorisë në ngarkim të tyre, për veprime të mëtejshme.