Reagon Adriatik Lapaj: “O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem!”. Dakord, por përfunduat gazi i botës si parti?!
Thonë se shpresa vdes e fundit, por në politikën shqiptare duket se ajo, shpresa, ka dhënë shpirt më shpejt se kudo tjetër. Madje, edhe aty ku lindi një politikë e re – që duhej të ishte më e re se vetë e vjetra, ajo u vjetrua pa nisur ende.
Në fillimet e tyre, partitë e reja në Shqipëri u pritën me kureshtje e gëzim, si një frymë që do të frynte pluhurin e rëndë të tranzicionit. Ata që dolën në skenë mbanin në xhepa diploma nga universitete prestigjioze, në duar flamujt e reformimit dhe në buzë premtimin se “Shqipëria bëhet”.
Shumëkush mendoi se më në fund, kjo klasë politike do të vinte ndryshe: me filozofi të re, me botëkuptim të emancipuar, me etike të re qeverisjeje. Por realiteti tregoi se nuk mjafton të ndryshosh emra dhe slogane, nëse nuk ndryshon më parë mendësinë.
Në politikë, siç thoshte Abraham Lincoln: “Karakteri është si një pemë dhe reputacioni si hija. Hija është ajo që mendojnë njerëzit për ty, por pema është ajo që je ti vërtet.”
Këto lëvizje të reja u shfaqën si hije e një peme që nuk kishte rrënjë të tjera nga e vjetra. Për pasojë, edhe frytet dolën po ato: konflikt, përçarje, egërsi, ambicie personale të veshura me retorikë kolektive.
Shanset që “Nisma Shqipëria Bëhet” të sillte diçka ndryshe u përplasën me zhgënjimin më të madh: brenda pak muajsh, u shpërbë jo vetëm struktura, por edhe shpresa. Ndodhi ajo që përvoja politike botërore e ka vërtetuar shpesh: kur njerëzit nuk e ndryshojnë filozofinë me të cilën hyjnë në politikë, politika i ndryshon ata duke i kthyer në zgjatim të status quo-së.
Winston Churchill, në një nga citimet e tij më të fuqishme për këtë temë, thoshte: “Nëse keni armiq, kjo do të thotë se keni mbrojtur diçka në jetën tuaj. Por kini kujdes që të mos bëheni armiqtë e vetvetes.”
Pikërisht kjo ndodhi mes Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt: një përplasje që s’kishte të bënte më me idealin, por me egon; jo më me të renë, por me llogarinë e vjetër politike.
Deklarata e Lapajt tingëllon e fortë, plot zemërim e mllef, ku ai akuzon jo vetëm kundërshtarët tradicionalë, por edhe partnerët e vet:
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem… Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala!”
Një retorikë që nuk ndryshon nga ajo që kemi dëgjuar dekada të tëra nga liderët e vjetër, që në emër të kauzës personale shpallin luftë kundër gjithësisë politike, pa reflektuar se lufta e vërtetë duhet të jetë brenda vetes së tyre, në filozofi dhe botëkuptim.
Sot publiku pyet me zhgënjim:
Si ndodhi që ata që na u shfaqën si një dritë ndryshe, po veprojnë më keq se ata që deshën të zëvendësojnë?
Si ndodhi që shpresa për një klasë të re politike u shua më shpejt se çdo përpjekje për ta rindërtuar?
Në histori, transformimet e mëdha politike kanë ndodhur vetëm kur udhëheqësit kanë ndryshuar më parë filozofinë e tyre. Nelson Mandela, pasi doli nga burgu, tha: “Ndërsa dilja nga dera drejt lirisë, e dija se po nuk e lija urrejtjen dhe zemërimin pas meje, do të mbetesha ende në burg.”
Ky është ndryshimi i vërtetë që politika shqiptare s’e ka bërë ende: lënien pas të mendësisë së vjetër, të hakmarrjes, të interesit klanor.
Në vend që të ishin laboratorë të një mendimi të ri politik, “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe “Shqipëria Bëhet” u shndërruan në skena ku u përsërit e njëjta dramaturgji e vjetër: konflikte personale, akuza familjare, rrëfime të një padrejtësie të madhe që gjithmonë ia bëjnë të tjerët.
Siç shprehet Hannah Arendt: “Politika nuk mund të ekzistojë pa besimin se e nesërmja mund të jetë ndryshe nga e sotmja.” Por si mund të jetë ndryshe e nesërmja kur aktorët e rinj luajnë me skenarin e djeshëm?
Kjo është drama jonë politike: ne e ndryshojmë dekorin, por jo filozofinë e skenës; ndryshojmë aktorët, por jo tekstin që recitohet.
Deri kur kjo të ndodhë, Shqipëria nuk bëhet vetëm me slogane. Ajo bëhet vetëm kur politika të ndryshojë mendësinë dhe botëkuptimin e saj, duke filluar nga vetë individët që guxojnë të pretendojnë se sjellin të renë. Vetëm atëherë shpresa nuk do të vdesë e para, por do të lindë për herë të parë.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

